Mashtronte qytetarët me kontrata pune fiktive, pranga 41-vjeçarit

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Pas tre muajsh hetime mbi kallëzimet e disa qytetarëve për mashtrim me kontrata pune, është finalizuar operacioni policor i koduar “Premtimi”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi kosovar H. B., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mashtruar qytetarë duke u premtuar kontrata pune në shtete të ndryshme, kundrejt pagesës prej 1000 deri në 1500 euro.
Sipas Policisë, gjatë muajit prill 2025 janë dokumentuar tre raste të marrjes së shumave të parave me anë të mashtrimit.
Vijojnë hetimet për të zbuluar raste të tjera të ngjashme dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/a.f/r.e/