E Martë, 3 Nëntor 2026

Mashtruan pikën e këmbimit duke i marrë 140 mijë euro, deportohet gjeorgjiani

Policia e Shtetit në bashkëpunim më Policinë e Turqisë ka bërë të mundur deportimin nga Stambolli të një shtetasi gjeorgjian, të dyshuar për mashtrim.

Vepra kriminale e 40-vjeçarit dhe e dy bashkëpunëtorëve të tij është ajo e mashtrimit, por me një dëm të madh financiar për një pikë të këmbimit valutor në qytetin e Shkodrës.

Mësohet se tre shtetasit nga Gjeorgjia më 9 gusht i kishin marrë 140 mijë euro pronarit të agjencisë në sheshin Zrale. Me të kryer veprën ata u larguan menjëherë nga territori i vendit.

“Në vijim të veprimeve të thelluara, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, bëri të mundur zbulimin e itinerarit të autorit kryesor të dyshuar për këtë ngjarje, i cili po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll me destinacion kryeqytetin e Gjeorgjisë. Në kuadër të operacionit policor ‘TRACKING’, Policia turke, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, e cila kishte ndjekur lëvizjet e autorit të dyshuar, bëri të mundur kapjen e shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili është deportuar në Rinas mesditën e sotme. Në momentin e kapjes në aeroportin e Stambollit, Policia turke, gjatë kontrollit fizik, i gjeti me vete një shumë prej 7.500 euro,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Dy autorët e tjerë të dyshuar po ashtu raportohet se janë lokalizuar dhe po bashkëpunohet me autoritetet homologe për kapjen e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›