Zjarret gjatë verës, ligji ndalon ndezjen e tyre në tokat bujqësore

Kjo verë po shoqërohet edhe me raste zjarresh, kryesisht në tokat bujqësore.
Por duke iu referuar vendimit Nr. 404 për përcaktimin e rregullave të hollësishme për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore, parashikohet që djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore të kryhet në periudhën 30 nëntor deri në 1 prill.
Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie.
Subjektet pronare ose poseduese, që dëshirojnë të kryejnë këtë proces, duhet të paraqesin një kërkesë në njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe pa lejen e tyre nuk mund të veprojnë.
Ndërkohë ligji parashikon ndalimin e djegies së masës bimore në tokat torfike.
“Të gjitha zjarrvëniet, sidomos djegia e mbeturinave dhe kulturave bujqësore, siç janë kashtërat, barishtet dhe të tjera, duhet të bëhen pas datës 1 nëntor. Nga 1 marsi deri më 1 nëntor nuk lejohet në mënyrë kategorike ndezja e zjarreve në fushë. Çdo individ, që nga pakujdesia apo nga padituria, aktivizon një vatër zjarri brenda këtij intervali, ligji parashikon ndëshkime nga gjobitja deri në burgim,” thotë Stiljan Belishta, shef i Emergjencave Civile në bashkinë e Maliqit.
Rasti i fundit i një zjarri në Qarkun e Korçës që shkaktoi dëme të konsiderueshme, ishte ai në pyjet e Bodesë në Maliq, ku rreth 160 hektarë pyje u përshkuan nga flakët.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/