Vrasja në azil – autori shtrohet në psikiatri, dy infermieret në arrest shtëpie

Gjykata e Tiranës ka vendosur shtrimin në psikiatri për autorin e dyshuar të vrasjes së 82-vjeçarit Virgjil Vesho.
78-vjeçari Zyhdi Shehi do të mbahet në një spital psikiatrik, ndërsa për dy infermieret që dyshohet se e fshehën ngjarjen, është vendosur masa e arrestit në shtëpi.
Më 8 gusht, Shehi goditi për vdekje shokun e dhomës në godinën e shtëpisë private për të moshuarit ku ata banonin. Plagët fatale u shkaktuan nga një bastun metalik rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur Vesho ishte në gjumë, ndërsa Shehi e kishte fajësuar se i kishte zënë krevatin.
Sipas njoftimeve paraprake, autori vuante nga skleroza dhe nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimin e tij.
Policia pretendon se infermieret kishin qenë në dijeni të ngjarjes së ndodhur, por nuk i kishin njoftuar në kohë autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, pasi panë që i moshuari kishte ndërruar jetë ato nuk njoftuan policinë, por morgun dhe një agjenci funerale për të tërhequr trupin. Më pas në morg janë zbuluar dëmtimet serioze te i moshuari.
/rtsh.al/