Masimo Morati: Baloteli nuk është në shitje
ROME- Presidenti i Interit Masimo Morati ka hedhur poshtë mundësinë që sulmuesi Mario Baloteli të largohet në merkaton e janarit apo atë të verës së ardhshme. “Ai nuk është dhe nuk do të jetë në merkato, - u shpreh Morati. – Duhet thjeshtë të rregullojmë sjelljen mes tij, skuadrës dhe trajnerit, por kjo them se është edhe çështje moshe. Nuk ka asgjë të rëndë në këtë histori, por duhet pak vazhdueshmëri në sjellje në bashkëjetesën me shokët e ekipit dhe trajnerin. Ka disa rregulla që duhen respektuar, por nuk mendoj se ka ndonjë gjë dramatike”, deklaroi ai. Morati shtoi gjithashtu se nuk është i shqetësuar për situatën e Balotelit, pasi beson tek aftësitë e tij dhe ato të Murinjos për ta menaxhuar. Të shtunën luhet Juventus-Inter dhe kreu zikaltër ka konfirmuar se skuadra do të jetë në heshtje shtypi deri ditën e premte, kur Murinjo të dalë në konferencën e zakonshme për shtyp. Në lidhje me “Topin e Artë”, të fituar nga Lionel Mesi, presidenti zikaltër u shpreh: “E meriton, është shumë i zoti”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)