GJNK-ja fillon procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës
Sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, filloi procesi i shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Serbisë të parët filluan prezantimin e qëndrimeve të tyre kundër pavarësisë së shtetit të ri. Ambasadori i Serbisë në Francë, Dushan Batakoviq, duke e cilësuar Kosovën, "djep të Serbisë", tha se shpallja e pavarësisë ishte e paligjshme dhe në masë të madhe e sfidon rendin ligjor ndërkombëtar.
Delegacioni i Kosovës do të fillojë prezantimin e tij këtë padite dhe fjalën hyrëse do ta paraqesë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Të dyja palët kanë nga tri orë hapësirë për të paraqitur argumentet e tyre. Nga nesër ndërkaq argumentet e tyre për dhe kundër pavarësisë së Kosovës do t'i paraqesin përfaqësuesit e 28 vendeve të botës.
Në tetor të vitit 2008 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jap një opinion lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës është njohur deri tash nga 63 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Procesi në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë pritet të zgjasë më muaj, ndërsa opinioni i saj nuk është detyrues për asnjërën palë. Njohësit e së drejtës ndërkombëtare janë të bindur se Gjykata nuk do të jap një opinion të prerë rreth kësaj çështjeje. //kk//