FIFA, “jo” Irlandës: Në Botëror? E pamundur
Është e pamundur që Irlanda të marrë pjesë në Botërorin e vitit 2010 si skuadra e 33-të e këtij kompeticioni. Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Zherom Valke ka shuar çdo shpresë për Federatën Irlandeze, pas kërkesës që kishte bërë kjo e fundit për të shkuar në Kupën e Botës si ekipi i 33-të. Irlanda u eleminua në plejof nga Franca, por goli i “Gjelave” u mor në fillim me dorë nga Henri, për t’u pasuar më pas te Gallas, që e dërgoi në rrjetë me portën bosh. “Irlanda nuk mund të jetë prezente në Botëror, - u shpreh Valke. – Nuk do të thosha se kërkesa është non-sens, por është thjeshtë e pamundur”, shtoi ai, duke mbyllur çdo diskutim mbi këtë temë. Në fakt, presidenti Sep Blater tha të hënën se kërkesa e Irlandës do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv që do të mblidhet të mërkurën, por sipas sekretarit të përgjithshëm është e pamundur që të merret vendim pozitiv. “Nëse do të pranonim kërkesën e Irlandës, pse të mos bënim të njëjtën gjë me Kosta Rikën apo ndonjë vend tjetër?”, tha ai. Ndërkohë, zëvendës trajneri Liam Bredi, ka sulmuar sërish Blaterin për shkak se e bëri publike kërkesën e Irlandës. “Sep Blater është si një minë uji, një motiv sikleti për FIFA-n. Më vjen keq që Blater e bën ligjin vetë. Mendoj se mënyra si ka vepruar është një mungesë respekti. Ai vazhdon të injorojë një pjesë të mirë të fakteve që ndodhën atë ndeshje, nuk ka thënë asnjëherë gjë kundër. Nuk ka thënë gjë madje as mbi ekzaltimin e Henrisë dhe në krahun tjetër flet për fair-play. Henri gëzoi sikur s’kishte bërë asgjë të gabuar, ky është fair-play? Por Blater preferoi të flasë mbi kërkesën tonë për të shkuar në Botëror si skuadra e 33-të”, deklaroi ndihmësi i Trapatonit. Në lidhje me shanset e Irlandës për të qenë e pranishme në Kupën e Botës në Afrikë, Bredi nuk ka dyshime: “Nuk do të ndodhë. Ne e kërkuam këtë për të parë se cili do të ishte reagimi i FIFA-s”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)