E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dakord me Ramën për heqjen e imunitetit

 

Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që drafti i PD-së për heqjen e imunitetit, të futet për shqyrtim në procedurë normale

TIRANË- Dy partitë e mëdha, PD dhe PS janë drejt konkretizimit të një marrëveshjeje të dytë, kësaj radhe për imunitetin e deputetit. Menjëherë pasi liderët e dy forcave të mëdha politike dhanë "Ok" e tyre për kufizimin e imunitetit, Kuvendi i Shqipërisë ka nisur procedurat zyrtare. Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare ka vendosur dje që të fusë në programin tre javor të punës së Kuvendit dhe projektligjin e paraqitur nga PD për kufizimin e imunitetit të deputetit. Një fakt të tillë e ka bërë publik dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila duke folur në seancën e djeshme parlamentare është shprehur se projektligji në fjalë është futur për shqyrtim në procedurë normale, duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptimin e deputetëve të opozitës, se kjo nuk bëhet në mënyrë provokative, por për të pasur një material bazë mbi të cilin forcat politike të japin sugjerimet e tyre, për të arritur në një material final. "Brenda këtij tre javori, do fillojë të diskutohet projektligji për limitimin e imunitetit. Nuk e di nëse do të mund t'ia dalim brenda këtij afati, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që futja e projektligjit të PD-së për shqyrtim nuk është bërë për të provokuar opozitën, por për të pasur një material mbi të cilin të punohet bashkërisht", - u shpreh Topalli. Ndërkohë gjatë paradites së djeshme, kryeministri Sali Berisha, duke folur para deputetëve të tij në grupin parlamentar të PD-së, ka përshëndetur vullnetin e opozitës për të mbështetur nismën për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, duke e konsideruar këtë si një moment tepër të rëndësishëm për demokracinë. Kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kufizimi i imunitetit për të gjithë zyrtarët, duke theksuar se me këtë veprim vendoset barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit. "Siç e keni marrë vesh në dy deklarata publike, nga ana ime dhe e zotit Rama, është rënë dakord që të shembet muri i imunitetit. Mendoj se kjo përbën njërin nga zhvillimet më madhore dhe më të rëndësishme të 17 viteve të fundit dhe ndoshta pas ujdisë për sistemin e ri elektoral, ky konsensus përbën të dytin zhvillim më madhor në reformat e këtij vendi dhe e konsideroj këtë dëshmi të një maturimi real të sistemit tonë demokratik",- u shpreh Berisha. Mbërritja në një moment të tillë, sipas Kryeministrit, tregon qartë për pjekurinë që ka arritur klasa politike dhe për forcimin e sistemit demokratik në vend. Në këtë kontekst, ai tha se kishte një rëndësi të jashtëzakonshme që opozita kryesore shprehu gatishmërinë e saj, ndërkohë që për këtë çështje është shprehur një muaj më parë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. "Me këtë reformë jo vetëm vendosim barazinë para ligjit, por me këtë reformë realisht ne heqim një pengesë të tmerrshme që qëndronte para gjyqësorit shqiptar për të mbushur misionin dhe funksionin e tij, sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti, për të cilin ata nuk kanë nevojë",- nënvizoi Berisha. Përveç përmbajtjes së këtij hapi, Kryeministri ka vlerësuar rolin konstruktiv që po luan opozita kryesore në vend, për të mbështetur ato reforma që kanë një impakt direkt në procesin e integrimit. Ai ka theksuar edhe një herë se kjo nisëm kërkon të zhveshë deputetin apo zyrtarin e lartë nga imuniteti, vetëm për akuzat konkrete dhe jo ato politike, por pa qartësuar se si do të bëhet dallimi midis tyre. "Reforma të tilla mund të ishin dashur t`i kishim bërë më parë, mund të ishim përpjekur të mblidhnim 84 vota, por gjëja më e madhe është kur ajo bëhet me ujdinë e të dy palëve, kur pozita dhe opozita dëshmojnë se parimet e mëdha i kanë të njëjta dhe dinë t`u japin atyre përparësi ndaj të gjitha kundërshtive që kanë me njëra-tjetrën",- theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›