E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat grabisin me armë emigrantin

 

FUSHE KRUJE - Maskat grabisin emigrantin në rrugën nacionale Vorë-Fushë Krujë. M.Shullazi, i kthyer nga emigracioni rreth 1 javë më parë ra pre e grabitjes, ndërsa po kthehej në shtëpi, rreth orës 23:00 të së shtunës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se ngjarja ka ndodhur në afërsi të urës së fshatit Bilaj të Fushë-Krujës. Shullazi mësohet se po shkonte në shtëpinë e tij, në fshatin Bubq të Krujës, kur 3 persona me maska dhe të armatosur i kanë zënë pritë mbi urë. Me t'u afruar me makinën e tij, tre grabitësit sipas deponimit të Shullazit, i kanë bërë shenjë të ndalonte. Sipas udhëtarit, autorët kanë qëlluar me armë në ajër për ta paralajmëruar se, nëse ai tentonte të ikte do ta vrisnin. Kjo ka detyruar Shullazin që të ndalonte dhe t'u bindej urdhrave të grabitësve, të cilët në anën tjetër të rrugës i priste një autoveturë. Burimet e policisë thonë se Shullazit i kanë marrë një sasi prej 40 mijë lekësh të reja, sendet me vlerë dhe celularët që kishte, duke e lajmëruar që të mos njoftonte policinë se do të kishte pasoja. Pasi është larguar drejt fshatit të tij, emigranti ka lajmëruar policinë. Në vendin ku ndodhi grabitja kanë shkuar forca të policisë së Krujës, por pa rënë në gjurmët e tyre. Sipas burimeve zyrtare të policisë gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar mbi 30 persona, por deri tani akoma nuk është ndaluar ndonjë person, si autor. Tri ditë më parë, në aksin rrugor Fushëkrujë-Mamurras, u grabit makina ku udhëtonin katër sllovenë, por 2 prej tre autorëve u arritën të kapeshin në kohë rekord.                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›