E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për pronën, deputeti Piro Lutaj kallëzohet në polici

 

VLORE - Ndërsa kolegët e tij bënin protestë para kryeministrisë për hapjen e kutive, deputeti socialist i Fierit. Piro Lutaj e ka braktisur atë duke kryer veprime të dhunshme në Vlorë. Sipas policisë, por edhe të dëshmitarëve në vendngjarje, Lutaj është përfshirë në një sherr fizik dje paradite me qiramarrësin e një dyqani në këtë qytet. Ngjarja ndodhi tek zona e tregut, në qendër të Vlorës, ku deputeti i PS-së Lutaj, i shoqëruar edhe nga katër persona të tjerë janë konfliktuar me qiraxhiun e një dyqani. Pjesë e debatit janë bërë edhe disa tregtarë e persona të tjerë që ndodheshin aty në ato momente. Mësohet se shkak i këtij sherri është pretendimi mbi pronën ku është ndërtuar objekti, çështje që aktualisht po shqyrtohet në Gjykatë të Lartë. Pasi kanë debatuar me fjalë fyese e kërcënuese ndaj qiramarrësit të dyqanit, personat kanë thyer derën. Pas kësaj ngjarjeje, të dëmtuarit kanë bërë kallëzim për shkatërrim të pronës në ngarkim të Piro Lutaj dhe personave që e shoqëronin atë. Ujkan Elezi, qiramarrësi i dyqanit u shpreh dje se personi që theu derën dhe ushtroi dhunë verbale me sharje e kërcënime në ngarkim të tij dhe pronarëve trashëgimtarë të familjes Vërlaci në Vlorë, ishte deputeti. Çështja për këtë pronë mësohet se ndodhet në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që në të gjitha shkallët e mëparshme të gjyqësorit, fitues është familja Vërlaci, e cila ka dhënë me qira edhe dyqanin.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›