Të arrestuarit për shantazh: Policia na ndaloi me dhunë
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Dy të arrestuarit e djeshëm për korrupsion pasiv dhe shantazh, Laert Braho dhe Adriatik Çalaj, nuk kanë pranuar veprën penale me të cilën janë akuzuar nga organi i akuzës së Gjirokastrës. Oficeri i SHISH-it dhe tatimori, nuk kanë pranuar as të përcjellin shpjegime para oficerëve të policisë gjyqësore pa pasur në dispozicion avokatët mbrojtës. Deri më tani, ata nuk kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi rreth ngjarjes dhe kjo ka të bëjë me mosvënien në dispozicion të dy avokatëve të provave materiale, të cilat janë sekuestruar nga policia në momentin e kapjes së tyre. Sipas avokatëve të dy të arrestuarve, Gentian Bineri dhe Ëngjëllush Kazma, në bazë të ligjit, provat e sekuestruara nga policia, nuk janë vënë ende në dispozicion çka konsiderohet shkelje. Me vënien e tyre, atëherë do të vazhdohet më tej me shpjegimet e nevojshme në adresë të organit të akuzës. Dy të arrestuarit pretendojnë se janë keqtrajtuar në momentin e arrestimit nga ana e policisë. Të arrestuarit, nëpërmjet avokatëve të tyre kanë bërë të ditur këtë fakt një ditë pas ngjarjes, duke thënë se policët ishin të veshur civilë dhe me maska. Arrestimi i tyre ka ndodhur para një supermarketi në lagjen "18 Shtatori" ku fillimisht është kapur punonjësi i tatimeve, Laert Braho dhe më pas disa metra më tutje, në pranga u vendos oficeri i SHISH-it, Adriatik Çalaj. "Dy të rinjtë u shoqëruan në polici me makina private pa targa me një shpejtësi marramendëse duke krijuar panik tek kalimtarët e rastit të ndodhur në vendin e ngjarjes", pohuan avokatët. Ata shtuan se, uniformat blu më pas kanë ushtruar kontroll në banesat e prindërve të të arrestuarve duke mos gjetur as më të voglën provë që do të rëndonte pozitat e tyre. Ndërsa kanë filluar hetimet për veprimtarinë shantazhuese dhe investiguese të Çalës dhe Brahos ndaj shefes së një prej departamenteve në universitetin e Gjirokastrës, nuk ka njoftime nëse filmimet e pretenduara të kenë në fokus marrjen e ryshfetit prej saj, në këmbim të dhënies së provimeve për studentët e Universitetit të Gjirokastrës. Policia Rajonale, nuk ka bërë të ditur nëse ka filluar hetim në ngarkim të pedagoges. Burime të policisë thanë se ky hap do të ndërmerret fill pasi të vërtetohet autenticiteti i filmimeve të pretenduara nga ana e të arrestuarve.