E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin turistët kosovarë

 

Një grup grabitësish të maskuar kanë sulmuar disa makina kosovarësh në Qafë-Mali. Disa të shoqëruar në polici

Shtatë persona të armatosur iu kanë vjedhur sendet personale 13 turistëve nga Kosova. Ende të lirë

PUKË- Grabitësit me maska u rikthehen rrugëve në veri të vendit, për të sulmuar turistët e ardhur nga Kosova. Policia lokale njoftoi se një grup i madh personash të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një grup turistësh kosovarë, të cilët ishin nisur drejt bregdetit shqiptar. Megjithëse është njoftuar policia, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme autorët e kësaj grabitjeje nuk ishin arrestuar. Ndërkohë, kosovarët, viktima të këtij sulmi, kanë denoncuar grabitjen e tyre si dhe kanë ndihmuar policinë, e cila po punon për zbulimin e autorëve.

Në orët e vona të së shtunës, në aksin nacional Pukë-Fushë Arrës-Kukës është raportuar një grabitje me maska. 13 shtetas kosovarë, të cilët po udhëtonin me katër makina e kanë gjetur veten ngushtë, në afërsi të vendit të quajtur “Shënmëri”, aty ku ndahen rrugët e Tropojës, Kukësit dhe Fushë Arrësit. Rruga ishte e zënë nga shtatë persona, të gjithë të maskuar, tre prej të cilëve mbanin në duar armë. Grabitësit i kanë detyruar kosovarët të dalin nga makinat e tyre dhe t’u dorëzojnë gjithçka kishin me vete: euro, bizhuteri floriri apo telefona celularë. Pasi kanë marrë sendet me vlerë, grabitësit janë zhdukur sa hap e mbyll sytë nga rruga, në këtë zonë të pabanuar e të rrethuar nga pyje.

Kanë qenë vetë shtetasit kosovarë, ata që kanë denoncuar grabitjen me armë në polici. Të frikësuar për çka iu ndodhi, turistët kosovarë kanë pritur policinë në vendngjarje, për t’i shoqëruar më pas drejt destinacionit të tyre. Ata kanë treguar gjithë historinë e grabitjes, duke mos dhënë shumë ndihmë për identifikimin e autorëve, për arsyen se këta të fundit ishin të maskuar. Burime nga policia e Pukës bëjnë të ditur se gjatë marrjes së denoncimit nga shtetasit kosovarë, kanë shkuar në vendin ku ndodhi grabitja dhe janë kryer veprimet përkatëse. Sipas policisë, që i referohet kallëzimit të bërë nga të dëmtuarit, grabitësit kanë qenë 7 persona me maska, ku tre prej tyre kanë qenë me armë. Po sipas kallëzimit të kosovarëve, grabitësitdukeshin në moshë të re.Pas marrjes së këtij kallëzimi, policia e Pukës ka shoqëruar disa persona, të njohur si kontigjentë kriminalë të zonës, por ata janë lënë të lirë, pasi janë marrë në pyetje. Deri në orët e vona të mbrëmjes, grupi i grabitësve ende nuk ishte identifikuar. “Po vazhdojmë hetimet, duke u bazuar në kallëzimin e shtetasve kosovarë, por identifikimi është i vështirë, pasi kjo zonë është e pabanuar dhe autorët e krimit kanë qenë të maskuar”,-bëjnë me dije për “Shekullin” burime nga komisariati i Pukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›