Fëmija me paralizë, apel nga prindërit
FIER – Familjarët e një 2-vjeçari bëjnë apel për nxjerrjen e një vize për të shpëtuar jetën e fëmijës. Fatjon Bushi, sipas mjekëve, vuan nga një paralizë totale, ndërsa trupi i tij është fare i pazhvilluar. Qëkurse ishte 5 muajsh Fatjoni do të përjetonte fatin më të keq të jetës së saponisur. Gjyshi i tij, Faslli Bushi tregon se deri në muajin e pestë, djali rritej normalisht dhe lëvizte duart e këmbët. Por pas kësaj kohe, prindërit dalluan se nuk kishte më ndryshim në zhvillimin trupor të tij, deri në një mungesë aktivizimi total. “Nuk e kuptuam si ndodhi, por pamë që ai nuk lëvizte më dhe vetëm qante. E çuam në spitale dhe përgjigjja e mjekëve ishte që djali vuan nga zhvillimi i vonuar trupor, por kjo paralizë i ka kapur edhe sistemin nervor”. Familjarëve u kanë thënë se shpëtimi mund të jetë jashtë shtetit. Ai apelon që konsullata italiane në Vlorë t’i ndihmojë duke u dhënë një vizë. Sipas tij, edhe shtëpinë do ta shesin për të shpëtuar fëmijën. m.r