E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, data 10 nëntor, afati i fundit i regjistrimit



Jonida Tashi

Data 10 nëntor do të jetë dita e fundit e regjistrimit për studimet e ciklit të dytë, që përfshijnë Masterin e Nivelit të Parë dhe Diplomën e Nivelit të Dytë. Ky afat është përcaktuar nga vetë fakultetet që ofrojnë këto lloj studimesh, pasi ai i vendosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, që ishte nga 22 deri në datën 27 tetor u kalua, pasi fakultetet nuk kishin marrë ende vendimin e kuotave. Sakaq, vendosja e datës 10 nëntor si afati i fundit për regjistrimin e fituesve në dy programet e mësipërme pasuniversitare bëhet i ditur nga dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj.
Afati
Ndërsa procesi i regjistrimit të fituesve për Masterin e Nivelit të Parë (MNP) dhe Diplomën e Nivelit të Dytë (DND), tashmë ka nisur pothuajse në të gjitha fakultetet, Rrokaj bën të ditur se kandidatët që nuk do të kryejnë këtë proces brenda afatit të caktuar do të humbasin të drejtën e studimit. Por, megjithë kushtin kohor të vendosur nga vetë fakultetet për regjistrimin e kandidatëve, shumë prej këtyre të fundit ngurojnë ta bëjnë një gjë të tillë, pasi ende nuk dinë se sa do të kushtojnë studimet për MNP dhe DND. Të gjendur në këtë situatë, mjaft prej kandidatëve që kanë fituar të drejtën e studimit për të vijuar MNP dhe DND janë ndarë në dy pjesë, në fitues që regjistrohen fillimisht me shpresën se nëse fatura e studimit do të jetë “e kripur” ata mund të tërhiqen nga nisja e studimeve, dhe në fitues që do t’i vijojnë studimet pavarësisht se sa do të kushtojë tarifa e studimit. Këta të fundit, janë edhe kandidatët më me interes për fakultetet, të cilat për të realizuar hapjen e çdo programi studimi MNP dhe DND, duhet të kenë të regjistruar të paktën 10 studentë. Ky kusht është vendosur nga qeveria, sipas së cilës, çdo program studimi i ciklit të dytë do të funksionojë në vitin e parë për vitin akademik 2009-2010, në rast se atë e ndjekin të paktën 10 studentë.
Tarifat
Megjithëse nuk janë detajuar ende, qeveria i ka përcaktuar tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, më kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, në vitin akademik 2009-2010 do të jetë e plotë. Ndërsa për kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbër, të shurdhër, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të vrarë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë kuotë, në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Në programet e studimit Master i Nivelit të Parë, në Mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët që në ciklin e parë, kanë patur mesatare, jo më të ulët se nota 8 (tetë), nuk paguajnë tarifën e shkollimit. Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme studimi, të ciklit të dytë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.

Kurset private
Tafaj: Gati penalizimet për mësuesit që detyrojnë nxënësit

Mësuesit që do të detyrojnë nxënësit të ndjekin kurse private nuk do të penalizohen. Megjithëse ky fenomen tashmë është bërë tepër i njohur për shkollat shqiptare, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka marrë përsipër t’i bëj ballë zhdukjes së tij. Në analizën vjetore e arsimit për Qarkun e Tiranës, kreu i dikasterit të Arsimit është treguar i ashpër me mësuesit e shkollave publike që detyrojnë nxënësit të bëjnë kurse private. Sipas tij, zgjidhja për të evituar kurset private për nxënësit është që shkollat të zhvillojnë konsultime dhe veprimtari të tjera në shërbim të tyre. “Shkolla duhet të bëhet shtëpia e dytë për çdo nxënës. Ajo do të mbështesë, përmes konsultimeve të planifikuara, nxënësit që kanë vështirësi në përvetësimin e programit mësimor. Prindërit dhe nxënësit duhet të kenë besim tek shkolla dhe mësuesit dhe të mos i drejtohen më kurseve private. Ne nuk do të tolerojmë mësuesit të detyrojnë nxënësit të ndjekin kurse private”,- ka deklaruar Tafaj në analizën vjetore. Më tej, ministri Tafaj i kërkoi drejtuesve të shkollave se duhet të zhvillojnë programe të plota që nxisin talentet. Sipas tij, çdo nxënës duhet të ketë mundësi të jetë i përfshirë në një rreth lëndor apo shkencor. Po ashtu, nxënësit duhet të kenë mundësi për të zhvilluar veprimtari kulturore–sportive në shkollë. Për të realizuar këto veprime ndihmëse të procesit mësimor, Tafaj ka urdhëruar mësuesit që çdo ditë të planifikojnë një orë në ditë për konsultimet dhe veprimtaritë e tjera në shërbim të nxënësve.

Ministri Vasili takim me studentët e Fakultetit të Infermierisë

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar dje një takim me studentët dhe drejtuesit e Fakultetit të Infermierisë në Tiranë. Ai e ka cilësuar këtë fakultet si shumë të rëndësishëm në kuadrin e reformimit të pritshëm që do t’i bëhet sektorit të shëndetësisë në vendin tonë. Gjatë fjalës që ka mbajtur në vizitën pranë Fakultetit të Infermierisë në Tiranë, ministri bëri me dije se kujdesi shëndetësor është primar dhe ndërgjegjësimi ndaj tij duhet të jetë në thelb të edukimit të studentëve që dalin nga dyert e këtij fakulteti. Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim tha se cilësia e studentëve po rritet. Sipas Kules, diplomat e Infermierisë po njihen kudo dhe cilësia e studentëve po rritet.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›