E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers vlerëson harmoninë e besimit

Toleranca e besimit në Shqipëri ishte në qendër të deklaratave të djeshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers. Duke vlerësuar rëndësinë e lirisë së besimit, harmonisë mes qytetarëve, Withers iu referua veprës së famshme të artit që ilustron më së miri harmoninë fetare në Shqipëri me një tablo në qytetin e Beratit. Kryediplomati amerikan shkon më tej kur krahason Amerikën me Shqipërinë për nga liria e besimit. "Vendi im, Amerika, më së shumti u themelua nga ata njerëz që braktisën Europën apo dhe vende të tjera, pikërisht se aty mungonte liria e besimit apo fjalës", theksoi Withers. Dhe ata, vijoi ai, shkuan në Amerikë, duke kërkuar këtë mënyrë të re jetese, pa e ditur se kushtet që po kërkonin tashmë ndodheshin në Shqipëri. Me rastin e prezantimit të raportit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për lirinë fetare, në Ambasadën Amerikane në kryeqytet u organizua një ceremoni e veçantë, ku morën pjesë krerë të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të qeverisë dhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Sipas raportit, marrëdhëniet midis grupeve të ndryshme fetare janë përgjithësisht miqësore dhe toleranca është e përhapur gjerësisht. Shoqëria është përgjithësisht laike. Martesa mes anëtarëve të feve të ndryshme është shumë e zakonshme. Bashkësitë fetare ndihen krenare për tolerancën dhe mirëkuptimin që mbizotëron midis tyre. Në janar 2003, sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islamike të Shqipërisë, Sali Tivari, u qëllua dhe u vra në selinë e bashkësisë. Deri në fundin e periudhës së mbuluar nga ky raport, vrasja e tij nuk ishte zgjidhur dhe motivet për vrasjen e tij mbetën të paqarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›