E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbesat e Zhabajt: Daja ka qenë i sëmurë mendor

"Daja ka qenë me probleme mendore. Pasi doli nga burgu në Itali, shpesh herë ka qenë anormal. Kemi pasur frikë ndaj tij, se ndonjë ditë do na vriste. E kemi denoncuar në polici dhe që nga ajo ditë nuk vinte në shtëpi, por na ndiqte nga pas kudo që shkonim". Kështu janë shprehur dje dy mbesat e Shezai Zhabajt, i cili vrau në mes të qytetit të Vlorës 50-vjeçaren Stoli Sheraj, pak ditë më parë. Ato kanë mohuar në mënyrë kategorike se janë keqtrajtuar dhe janë shfrytëzuar nga viktima. "Unë kam punuar dhe disa herë kam ndenjur në shtëpinë e Stolisë dhe më ka trajtuar si vajzën e saj. Kam punuar për 6 muaj te lokali i saj, para dy vitesh, por më hoqi daja nga puna, me pretekstin se ajo më keqtrajtonte, gjë që s‘ishte e vërtetë. Unë e kundërshtoja, por ai s‘e pranonte dhe insistonte se ajo vetëm më ka shfrytëzuar e keqtrajtuar", ka thënë njëra nga mbesat e vrasësit 45-vjeçar. Më tej ato kanë rrëfyer se Zhabaj u kishte gjetur një punë në Durrës, ku kishin qëndruar vetëm pak ditë. "Punuam disa ditë në Durrës, por dhe aty ai erdhi dhe u zu me pronarin e lokalit, të cilit i nxori pistoletën dhe thikën. Më vonë u kthyem përsëri në Vlorë dhe ai na ndiqte kudo që shkonim, sepse sipas tij kishte merak se mos na ndodhte ndonjë gjë e keqe. Unë mbasi u largova nga lokali i Stolisë shumë rrallë e kam takuar në rrugë, nuk kam pasur kontakt. Shumë herë ai nuk e besonte dhe na rrihte me bindjen se ne vazhdonim të takoheshim me të. Para ca kohësh e kishim denoncuar në polici, ku e thirrën të nënshkruante një deklaratë ku pranohej kushti që të mos na rrihet më as ne, as nënën tonë. Pas kësaj nuk vinte më në shtëpi, por vazhdonte të na ndiqte nga pas", ka vijuar një nga mbesat. Ato nuk arrijnë ta kuptojnë pse ndodhi vrasja, sepse nuk ka pasur asnjë arsye.
"Për ne ajo ka qenë shumë e rregullt dhe nuk qëndron asnjë nga fjalët e sajuara nga daja. Ai kishte inat këdo që ne takonim apo ku punësoheshim. Në tre raste të tjera ku jemi punësuar ai ka dashur t‘i vrasë, sepse sipas tij të gjithë na keqtrajtonin dhe na përdornin. Për ne ai ka qenë njeri me fiksime dhe me të meta mendore, policia duhet ta kishte ndaluar qysh kur bëmë kallëzim penal ndaj tij për keqtrajtimin që na bënte", kanë përfunduar vajzat.

Mi.Ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›