E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, jo më pak se 30% nga universitetet e rretheve

Vendimi i Këshillit të Ministrave për programet master i detyron të gjitha departamentet, që të paktën 30 për qind të studentëve të ciklit të dytë, t`i përzgjedhin nga shkolla të tjera të larta e jo vazhduesit e tyre. Në këtë mënyrë, programet e masterit për Histori nuk do të kenë më shumë se 70 për qind studentë nga departamenti i Historisë të Universitetit të Tiranës dhe do të duhet të përzgjedhin pjesën e mbetur nga departamentet e tjera të historisë të universiteteve në rrethe ose nga degë të ndryshme, por të përafërta me këtë lëmë.

Vendimi

Vendimi në fjalë është marrë përpara dy javësh nga Këshilli i Ministrave e në të përcaktohen kriteret bazike të përzgjedhjes së studentëve. Me anë të këtij vendimi, ekziston mundësia që studentë me nota më të ulëta të universiteteve të rretheve të hyjnë në programet master të tri universiteteve kryesore të Tiranës, për shkak të kuotëzimit që i është bërë sistemit.

“Institucionet publike të arsimit të lartë shpërndajnë kuotat e vëna në dispozicionin e tyre, në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar ciklin e parë në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70 për qind për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tyre. Në rastet kur nuk ka kandidatë që plotësojnë kriteret dhe kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, institucioni publik i arsimit të lartë ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në ciklin e parë, në atë institucion”, - përcakton udhëzimi.

Kriteret

Të gjithë ata studentë që kanë përfunduar një cikël bachelor, do të mund të regjistrohen këtë vit në ciklin e dytë të studimit universitar, thënë ndryshe, master. Komisionet e posaçme që janë marrë me përgatitjen e kritereve kanë konkluduar se dosjet do të jenë metoda më e mirë për konkurrim, ku një rol të rëndësishëm do të luajë mesatarja që ka studenti në vitet e ciklit të parë.

Në këtë mënyrë, lista e plotë e notave dhe lista e notave të profilit do të plotësohen me mjetin e identifikimit të studentit, dy letra rekomandimi dhe tarifën e regjistrimit. Këto kritere janë të përbashkëta për të gjitha universitetet. Sakaq, përzgjedhja përfundimtare do të kryhet nga komisionet e posaçme në këto degë, të cilat do të konkludojnë në bazë të rekomandimit, notës mesatare dhe intervistës me aplikantët.

Metoda në fjalë është më strikte në masterat ekzistues, sidomos në Fakultetin Ekonomik dhe në Shkollën Pasuniversitare të Studimeve Evropiane. Ndërkohë që mësohet se në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të jetë mesatarja që do të luajë rol më të rëndësishëm se rekomandimi dhe intervista e studentëve.

Kuotat dhe tarifat

Tarifat për ciklin e dytë janë të ndryshueshme. Kështu, për Fizikën dhe Matematikën në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në universitetin e Tiranës do të jenë 40,000 lekë të reja, ndërsa për të gjitha degët e tjera të këtij fakulteti 56,000 lekë. Në Arkeologji dhe Trashëgimi kulturore tarifa e shkollimit do të jetë 72,000, ndërsa në degët e tjera të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja do të jetë 48,000 lekë. Sakaq, në Fakultetin e Shkencave Sociale një master do të kushtojë 60 mijë lekë, aq sa në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Një master në Inxhinierinë Mekanike, në Fakultetin e Gjeologji-Minierave dhe në atë të Bio-teknologjisë dhe Ushqimit në UBT do të kushtojë 36 mijë lekë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe në atë të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UPT dhe UBT, përkatësisht do të kushtojë 48 mijë lekë, ndërsa në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në UPT 56 mijë lekë. Çmimin më të ulët do ta kenë Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit dhe ai i Shkencave Pyjore në UBT me 36 mijë lekë. Ndërkohë, kuotat variojnë nga 30-40 për Shkencat Ekzakte, në 80-150 për Shkencat Sociale.

30% e studentëve do të jenë minimalisht nga universitetet e rretheve

30-40 do të jenë kuotat për shkencat ekzakte

80-150 do të jenë kuotat për shkencat sociale

20 do të jenë kuotat për Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore

36 mijë është tarifa minimale në dy fakultete të UBT-së

72 mijë është tarifa maksimale në Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›