E Shtunë, 31 Tetor 2026

5-vjetori i lumturimit, aktivitete për nderimin e Nënë Terezës

“Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, Nënë Tereza u lumturua pesë vite më parë nga Papa Gjon Pali i Dytë, duke u vendosur një hap përpara shenjtërimit. Por, pesë vite më vonë, shumë pak aktivitete do të zhvilloheshin për të në vendin ku jetojnë bashkëkombësit e saj. Në ndryshim nga vendlindja e saj, Shkupi, në Tiranë janë kryer vetëm dy aktivitete në 5-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës.

Shtëpi muze në Shkodër

Një shtëpi muze është përuruar në qytetin e Shkodrës, atje ku është edhe origjina e të atit të Nënë Terezës. Në këtë banesë, Anjes Gonxhe Bojaxhiu dhe familja e saj kanë jetuar në vitet 1932-1933 dhe është rikonstruktuar nga Unioni Botëror i Paqes. E pranishme në ceremoninë e përurimit të kësaj shtëpie muze ishte edhe zonja e parë e vendit, znj. Teuta Topi.

“Hapja e kësaj qendre muze për figurën e Nënë Terezës ka vlera të mëdha, pasi këto vlera ia jep vetë emri i bamirëses së madhe që është bijë e mbarë botës. Ajo kishte vlera që ne të tjerëve ndoshta na mungojnë. Por që duhet të kthejmë gjithmonë kokën tek vlerat e saj. Ajo ishte njeriu që edhe mëshirës i dha pushtet”, – deklaroi znj. Topi, duke e cilësuar Nënë Terezën si njeriu që e vlerësoi dashurinë si gjënë më të shtrenjtë në botë, nëpërmjet së cilës njerëzit duhet të ecin përpara.

“Ishte njeriu që i dedikoi jetën e saj njerëzve në nevojë. Ajo e realizoi me shumë fisnikëri misionin për të cilin kemi ardhur në jetë: t’i dhurojmë jetës sa më shumë jetë, sa më shumë mirëkuptim, sa më shumë tolerancë. Hapja e kësaj qendre muze për figurën e Nënë Terezës ka vlera të mëdha, pasi këto vlera ia jep vetë emri i bamirëses së madhe që është bijë e mbarë botës. Ajo kishte vlera që ne të tjerëve ndoshta na mungojnë”, – tha zonja e parë e vendit.

Ndërsa Presidenti i Unionit Botëror të Paqes, Xhanfranko Kosta, tha se kjo shtëpi muze e hapur në Shkodër, në qytetin ku Nënë Tereza ka jetuar për dy vjet, na bën të ndiejmë e të shohim se si Shqipëria e vogël i ka dhënë botës një grua të shkëlqyer që i takon të gjithëve.

Ipeshkvët: Nderim për figurën e Nënë Terezës

Dy ipeshkvit shqiptarë që marrin pjesë në një sinod në Vatikan, Imzot Zef Gashi e Imzot Lucjan Avgustini kanë vlerësuar figurën e Nënë Terezës në 5-vjetorin e lumturimit, duke e cilësuar si një nga personalitetet më të rëndësishme në vend. Radio “Vatikani” njofton se “dy ipeshkvijtë shqiptarë, pjesëmarrës në Sinodin që po mbahet në Vatikan mbi Fjalën e Zotit, sot flasin për datën e paharrueshme e historike të 19 tetorit 2003, kur në Vatikan me kremtimin e Meshës solemne, Ati i Shenjtë Gjon Pali II e shpalli të Lume bijën, motrën e nënën shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun duke e ngritur në nderime të elterit”.

Aktivitete në Maqedoni

Në sallonin e kinemasë në Shtëpinë e ARM-së në Shkup, u shfaq dje filmi dokumentar për Nënën Terezë "Brigjet më mallëngjyese", i regjisorit Kiril Uzunov.

Filmi flet për 18 vitet e para nga fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut të kaluara në vendlindjen e saj Shkup, si dhe për momentet më të rëndësishme nga rruga e saj jetësore. Filmi dokumentar jep fakte të njohura dhe më pak të njohura nga jeta e Nënës Terezë, përmes kujtimeve dhe rrëfimeve të miqve të saj personalë, fqinjëve, farefisit dhe ithtarëve.

Për shkupianen dhe shqiptaren më të njohur flasin edhe persona eminentë nga jeta e saj politike, religjioze dhe kulturore, ndërsa do të shfaqet edhe madhësia e misionit mëshirëdhënës, të cilin ajo e krijoi dhe i cili ka arritur dimensione planetare.

Nënë Tereza

Fjala gjatë nderimit me çmimin “Nobel”

"Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfrit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".

Papa Gjon Pali II

E lumja Tereza e Kalkutës

Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e së Lumes

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›