E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër etapa për të “kuruar” ligjin anti-duhan

Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë po tentojnë t’i japin frymëmarrjen e fundit artificiale ligjit që ndalon duhanpirjen në mjediset publike. Por, duket se ky proces nuk është aq i lehtë. Kjo, jo vetëm sepse “pacienti” nuk duket i gatshëm për të pranuar rivendosjen e ligjit, por edhe sepse në organikën e institucioneve nuk ekziston shifra e nevojshme e personelit për të kryer “operacionin”.

Për këtë arsye, burime nga dy institucionet bëjnë të ditur për “standard” se rindalimi i duhanpirjes në mjediset publike nuk do të kryhet menjëherë, siç ndodhi në fillimin e vendosjes në jetë të ligjit, por në katër etapa të njëpasnjëshme. Sipas tyre, kjo do të mundësojë ndërgjegjësimin e qytetarëve, përpara vendosjes së “dorës së hekurt” të shtetit mbi shkollat, administratën dhe sipërmarrjet private.

Etapat

Sipas burimeve nga ministria dhe instituti, katër etapat do të jenë të njëpasnjëshme dhe do të zgjasin përafërsisht një vit. Në fazën e parë do të kryhet një fushatë promocionale, që do u tregojë qytetarëve dëmin që duhani shkakton në shëndetin e njeriut, e më tej do të ndikojë sipas tyre në uljen e nivelit të duhanpirjes në vend. Faza e dytë ka të bëjë me një procedurë legjislative, ku nuk përjashtohet mundësia e rritjes së re të akcizës për produktet e duhanit, që do të shtrenjtonte çmimin e tij dhe do të krijonte kushte ekonomike të pafavorshme për duhanpirjen.

Në fazën e tretë, do të forcohen institucionet që janë të përcaktuara për monitorimin e ligjit anti-duhan. Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik, si edhe policitë bashkiake do të kenë kompetenca të ndërvarura, por autonome, sipas specialistëve, në mënyrë që të mos ekzistojë më hendeku ligjor ekzistues, që krijon një handikap në zbatimin e ligjit. Ndërkohë në fazën e fundit do të rinisë vendosja e gjobave për të gjitha institucionet që nuk e respektojnë ligjin anti-duhan.

Faza e parë

Faza e parë e projektit ka të bëjë me ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi negativitetin që sjell duhanpirja dhe denoncimin e joduhanpirësve për rastet e shkeljes së këtij ligji. Një ditë më parë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, kishte deklaruar në një intervistë dhënë për gazetën “standard” se kjo fushatë do të zgjerohet edhe më tej.

“Ndër synimet kryesore të kësaj fushate është sensibilizimi dhe nxitja e qytetarëve që të denoncojnë konsumin e duhanit në ambiente të mbyllura. Presim që vetë qytetarët të bëhen koshientë për të drejtat e tyre. Për këtë janë vënë në dispozicion një numër telefoni ku mund të denoncohen shkeljet e ligjit në Drejtorinë e Shëndetit Publik në rrethin tuaj, në Tiranë në numrin 2268870”, – kishte deklaruar Ylli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›