E Shtunë, 31 Tetor 2026

MEDIA MERCENARE

Mora shkas për të shkruar këta rreshta pasi lexova Artur Nurën në një shkrim të tij të fundit në gazetën “standard” ku shprehet: “Një mik i vjetër i Erion Veliajt, Besian Pesha, e cilëson atë që po bën lëvizja G99 si kontribut për të lartësuar kultin e pronarit të PS-së, Edi Ramës! Në fakt, kështu G99 humb nga identiteti politik i munguar në historinë tonë politike, por ka fituar hapësira të mëdha mediatike dhe sigurisht të ardhura”.

Me këtë konkluzion, nëse FDE-ja që duket më afër Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha, do t’i qëndrojë identitetit të saj politik, edhe ky i munguar në historinë tonë politike apo do të rreshtohet… këtë do ta tregojë më së miri hapësira që do t’i japë kësaj të fundit shtypi dhe mass media…Pasi lexova këtë shkrim, m’u desh të përmbledh punën time pikërisht në këtë fushë të pushtetit të katërt, atë të medias.

Duke ushtruar funksionin e gazetarit prej 16 vjetësh më është nevojitur të vëzhgoj gjatë dhe shumë hollësishëm median, së bashku me të gjitha spërdredhjet e saj të imponuara politike. Më është dashur të mësoj shumë mirë përkatësitë e pothuaj të gjithë atyre mediave “të pavarura”. Më është dashur të dëgjoj edhe politikanë që ulërinin në mes të mbledhjes, pa u skuqur aspak, pasi një aksh media televizive apo e shkruar, nuk e kishte cituar pikë për pikë, edhe pse i kishte bërë “diktim” atij televizioni se çfarë duhej të thoshte. Kjo, pasi një edicion i mëparshëm televiziv nuk i kishte pëlqyer dhe nuk i kishte bërë “furçat” e mjaftueshme. “I kam diktuar një për një çfarë duhet të thoshte”, - ulërinte ai, pa pikën e turpit, a thua se ishte pronari i asaj medie.

Presioni i medias nga njerëzit e pushtetshëm. “Unë të urdhëroj, sepse kam pushtetin, pra “forcën”. Pushtet mbi të gjitha pushtetet “e pavarura”.

Të më falin lexuesit, se mbase u zgjata ca si shumë me disa hollësira, por që i mendoj të nevojshme për të kuptuar se ku është media e “lirë” dhe sa është çliruar nga vargonjtë e pushteteve, të të gjitha llojeve.

“Tender-gazetarë dhe biznes-gazetarë”, - u shpreh në një intervistë të tij Kryeministri Berisha.

Pas një takimi që pati Forumi për Demokraci dhe Etikë me një nga figurat kosovare, Ramush Haradinajn, erdhën shumë gazetarë të gatshëm të ndiqnin këtë takim, që nuk mund të anashkalohej për nga rëndësia. Shumëkush, nëse do të kishte parë atë fluks kamerash, do të mendonte se mediatizimi do të ndiqte një rrjedhë normale, atë të pasqyrimit. Por në fakt, nuk ndodhi kështu. Të nesërmen, asnjë gazetë nuk e kishte përmendur, jo më ta kishte pasqyruar.

Përse të mos pasqyrohet një aktivitet i tillë, i organizuar nga një forum që ka si qëllim tolerancën, dialogun, bashkëpunimin midis aktorëve politikë, por edhe të aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme të shoqërisë, të cilat ndikojnë në zhvillimin e jetës normale në vend? Ndërkohë që është një nismë që marrin pjesë dhe përqas figura të të gjithë spektrit politik, majtas dhe djathtas, ministra të kësaj mazhorance dhe ish-ministra që sot janë në opozitë, akademikë dhe figura që kanë shfrytëzuar karrierën e tyre për të sjellë ndryshimet e mëdha.

Përse nuk pasqyrohen në media takimet e këtij forumi, kur ai nuk është një grup presioni, por kërkon ndryshimin e shoqërisë vetëm përmes ideve dhe veprimeve, duke dhënë shembullin e një integriteti që synon të krijojë një komunitet moral, përpara se të krijojë një komunitet politik, biznesi apo kulturor.

Ndërkaq, sot, nëpërmjet ekranit shikojmë të pasqyrohen edhe takimet më të rëndomta të disa pseudo-lëvizjeve që kanë trumbetuar deri dje erën e ndryshimeve të mëdha.

Këto lëvizje kanë përfunduar në “copy paste” të partive simotra, që nuk thonë më asgjë. Po ato slogane, po ato shprehje bombastike, pa arritur të mundësojnë pavarësinë e nevojshme për t’u konsideruar një lëvizje serioze dhe e besueshme. Kanë filluar të kenë edhe sindromën e imitimit të liderit deri në ghestikulaturë e në atë çka thonë (duke humbur kështu identitetin fizik e politik). Tek nismat e tyre ndihet ambicia për karrierë të pastër politike dhe jo politika ambicioze që sjellin ndryshim dhe rritje në shoqëri. Këtë po e bën më së miri Forumi për Demokraci dhe Etikë, duke hedhur ide origjinale dhe duke bërë veprime konkrete për një bashkëpunim përtej politikave majtas apo djathtas.

Lëvizjet e pseudo-grupimeve, si G99, një gjë e dinë shumë mirë, çelësin e vënies në funksionim të medias audio-vizive dhe asaj të shkruar. Dhe këtu dalin në skenë tender-gazetarët dhe biznes-gazetarët, pa dashur të fyej të gjithë kolegët e mi gazetarë, ndër të cilët kam njohur edhe nga ata që kanë pasur guximin të përballen me prepotencën e pushtetit, duke ua përplasur publikisht paaftësinë e tyre.

Një ekuilibrist që ecte në majë të telit, tregonte sekretin e tij. Sekreti, sipas tij, ishte të mbash sytë të fiksuar aty ku po shkon. Asnjëherë nuk duhet parë poshtë, se rrëzohesh. Aty ku shkon mendja, shkon dhe trupi. Çelësi i suksesit është të shikosh aty ku dëshiron të shkosh. Disa njerëz shikojnë mbrapa për të parë vuajtjet e tyre, disa shikojnë poshtë, duke menduar që jeta ka qenë e padrejtë me ta.

Ëndërro ëndrrën e madhe. Kjo fjalë tingëllon sot pak demode, në kohën e teknikës materialiste. Por nuk është demode për ata dhjetoristë që me idealizëm realizuan ëndrrën e madhe të viteve ‘90, rrëzimin e diktaturës. Më kujtohet, kur drejtoja emisione në ALBA TV dhe ku debatohej shpesh ashpër për nocionet e demokracisë. Këta dhjetoristë kërkonin më të mirën, më të përkryerën, që ato slogane të hedhura në vitet ‘90: “Liri Demokraci”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, të mos mbeteshin thjesht demagogji. E pra, ata sot, të grupuar në Forumin për Demokraci dhe Etikë, e vazhdojnë ëndrrën e tyre për të mos qëndruar aty ku kanë arritur, por me një vizion pozitiv, të arrijnë qëllimet dhe të përmbushin atë fat, të përcaktuar që në vitet ‘90.

Një nga shprehjet që Sarah Palin tha në fjalimin e saj të prezantimit si kandidate për zëvendëspresidente e SHBA-ve, kur fliste për kandidatin për President, John McCain, ishte: “ Ata i përkasin asaj sëre njerëzish që përdorin karrierën e tyre për idetë e mëdha dhe jo idetë e ndryshimit për karrierë”.

Njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre, që kanë lënë një gjurmë me punën e tyre për komunitetin. Ky është çelësi i suksesit, njerëz me kontribute, jo me koniunktura politike

E pra, dhjetoristët janë të certifikuar me kontributin e tyre. Dhe kontributi i tyre është real. Në vitin 1990 ata vunë jetën e tyre në rrezik, pa kërkuar asnjë shpërblim. Dhe këtë kontribut po e vënë në funksion të ideve të ndryshimit dhe konsensusit mes palëve.

Duke e ndier veten pjesë të kësaj lëvizjeje, si dhjetoriste dhe pjesëtare e grevës se urisë, nuk mund të mos e ruaj idealizmin e atyre sloganeve të atyre viteve: “Liri Demokraci”. Tani ata duhet të përmbushin atë fat, të përcaktuar që në vitet ‘90, kur u ngritën në luftë kundër komunizmit, jo për poste, u ngritën kundër atij rrëgjimi, jo se iu ofruan shuma të majme, por vetëm me një qellim të përcaktuar qartë; të çrrënjosnin një diktaturë.

Ashtu si McCain, sot kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka background-in e tij në luftën e Vietnamit, ashtu edhe dhjetoristët e kanë bërë luftën e tyre dhe e kanë të firmosur kontratën me këtë vend – janë iniciuesit e asaj lirie të madhe për të cilën ne ende luftojmë çdo ditë.

Kjo kontratë do të vazhdojë, derisa ne të jemi si e gjithë Evropa, të jemi pjesëtarë të barabartë të atij kontinenti, ku ne gjeografikisht jemi pjesëtarë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›