E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndiqesh nga doktori përmes celularit

SHKRUAN: Jonida Tashi 01-11-2011 13:37

Hapet Panairi i Shëndetësisë, Mjekësisë dhe Farmacisë. Doktori anglez, David W. Morgan prezanton metodën e mjekësisë përmes telefonit mobile

Mjekët anglezë sjellin në Shqipëri metodën e monitorimit shëndetësor përmes telefonit mobile. Në Britaninë e Madhe, kjo përvojë ka dy vjet që aplikohet dhe ka reduktuar me 75-90% të vizitave në spitale. Ajo funksionon shumë thjesht, përmes telefonit celular të lidhur me serverin qendror në urgjencën e spitalit që e aplikon. Përmes disa pyetjeve që pacienti u përgjigjet çdo ditë, doktori kupton nëse gjendja e tij shëndetësore është rënduar gjatë natës apo ditës. Në këtë mënyrë doktori rekomandon dozën e ilaçeve, sheh nëse ka përmirësim apo duhet të paraqitesh në spital për kurim të vazhdueshëm. Prof. David W.Morgan, prej 22 vitesh kirurg në Neurologjinë e Spitalit Universitar Warwick në Angli, ka paraqitur këtë teknologji në Panairin e Shëndetësisë dhe Farmaceutikës që po mbahet në Tiranë. Doktor Morgan pohon se me këtë metodë ai arrin të ndjekë edhe 20 pacientë njëherësh. “Në këta dy vjet që e aplikojmë në Angli, një mjek mund të konsultojë 30% më shumë pacientë se më parë. Madje, ne kemi kuptuar se nga personat që vinin në qendrën tonë mjekësore vetëm 2-5% kishin nevojë për asistencën e mjekut, pjesa tjetër donte thjesht këshilla, ndryshim të dozës së medikamenteve apo suport që mund të ofrohet lehtësisht edhe në kushte shtëpiake”, - shprehet doktor Morgan. Por, sipas mjekëve anglezë, kjo metodë është lehtësisht e aplikueshme edhe në Shqipëri, për faktin se pothuajse të gjithë e përdorin celularin, pavarësisht moshës që kanë. Po ashtu, mjekët anglezë shpjegojnë se kjo teknologji është e përshtatshme, sidomos për të sëmurët kronikë, të cilët dërgojnë me celular të dhënat për tensionin apo matjen e glicemisë për të marrë më pas këshillat nga mjekët. Në Angli, kjo metodë ka kursyer 5 mijë paund në vit për një pacient, kohën e tyre nëpër dyert e spitalit dhe mbingarkesën e punës së mjekëve. Doktor Morgan thotë se kjo mënyrë është efikase edhe në rastet e aksidenteve. Mjekët e autoambulancës u dërgojnë on-line në kohë reale profesorëve në spital të dhënat e pacientit për të kuptuar se çfarë veprimesh duhet të kryejnë apo në cilin specialitet të spitalit duhet ta dërgojnë atë. Ditën e djeshme është hapur Panairi Ndërkombëtar i Shëndetësisë, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Në këtë panair ekspozuan prodhimet dhe shërbimet e tyre, kompanitë farmaceutike, kompanitë e teknologjisë mjekësore, klinika dhe spitale. Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen e publikut në ditën e parë të panairit ishte një pajisje që është instaluar në spitalet e Anglisë. Pajisja, pjesë e sistemit elektronik të telemedicinës, siguron lidhjen e pacientit me mjekun me anë të telefonit. Kjo ka bërë që në Angli të ulet dyndja e pacientëve në spitale me 70%. Panairi i do të mbyllet në datën 2 nëntor, ndërkohë që në ditët e mbajtjes së tij, mjekë turq dhe maqedonas do të referojnë për estetikën dentare dhe shëndetin e gruas dhe fëmijës.

Vasili: Pacienti, në qendër të shpenzimeve

Shpenzimet në shëndetësi do të fokusohen te pacienti. Kjo do të bëjë që dhe buxhetet të hartohen duke pasur parasysh nevojat e pacientëve. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në Panairin Ndërkombëtar të Shëndetësisë. Disa momente të rëndësishme të reformës në sistemin shëndetësor, si orientimi i drejtë i shërbimit, diagnoza e shpejtë dhe e saktë, edukimi në vazhdim, sistemi i referimit i ngjashëm dhe korrekt me atë që zbatohet në vende të tjera, sipas ministrit Vasili, na bëjnë të mundur qasje gjithnjë dhe më shumë drejt një sistemi kompetitiv. Sipas ministrit të Shëndetësisë, është rritur mjaft cilësia dhe shpejtësia e diagnozës, duke shkurtuar kohën e vendosjes së saj deri në nivelin e vendeve të rajonit, si dhe duke përfshirë teknologjitë më të reja mjekësore dhe moderne në sistemin spitalor. “Sot, teknologjitë e reja janë prezente në të gjithë sistemin publik shqiptar, ato nuk janë vetëm monopol i Tiranës, por janë prezente dhe në skajet më të largëta të vendit. Ne jemi duke pajisur me skanera dhe rezonanca dhe ato që janë skajet veriore më të largëta të Shqipërisë”, - u shpreh ministri Vasili, duke përmendur më pas edhe projektet ambicioze që janë implementuar në fushën e Neurologjisë dhe atë të Kardiokirurgjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›