E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, dëbohen makinat e hetuesve të KE-së

TRAFIKU I ORGANEVE/ Familja Katuçi nuk e ka pranuar kontrollin e dytë


MAT - Herën e parë kanë pranuar, por për së dyti kanë vendosur të dalin të gjithë dhe të pengojnë automjetet e personave që do të kryenin një tjetër verifikim në banesat e tyre.


Bëhet fjalë për familjen e Abdulla Katuçit në fshatin Gurrë e Vogël e Matit, ku shumë prej banorëve kanë ndalur anëtarë të një misioni të KE-së për të vajtur në banesat e tyre dhe për të kryer verifikime lidhur me akuzat e ngritura nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, se në këtë vend janë kryer trafik organesh të serbëve nga UÇK-ja.


Përplasja mes të dërguarve dhe fshatarëvë ka ndodhur mesditën e së hënës, teksa këta të fundit nuk kanë lejuar dy makinat e Ministrisë së Drejtësisë të ecnin më tej.


Përballja


Ka qenë ora rreth 12:20 e mesditës së të hënës kur dy automjete të Ministrisë së Drejtësisë, ku ndodheshin përfaqësues të KE-së, përkthyes, por edhe zëdhënësja e ministrisë janë ndalur nga banorë të fshatit Gurrë e Vogël, kryesisht familja e Katuçëve dhe të afërm të tyre.


Abdulla Katuçi dhe familjarët e tij nuk kanë lejuar që të ardhurit të hynin në tokën e tyre duke u zënë rrugën, teksa kanë pretenduar të shohin një dokument që vërtetonte se ata ishin të lejuar për të kryer verifikimet e tyre. Teksa i janë nënshtruar kontrollit edhe 5 vjet më parë nga 15 prokurorë ndërkombëtarë, tashmë ata kanë vendosur të protestojnë.


Misioni i KE-së ishte bërë gati të zbriste nga makinat për t'iu drejtuar banesës së Abdulla Katuçit kur banorët i kanë rrethuar automjetet dhe kanë kërkuar të njihen me përfaqësuesit, të shihnin dokumentet e identifikimit dhe mandatin e këtij kontrolli, si dhe kush i shoqëronte nga pala shqiptare.


Banorët kërkuan që ata të kishin mandate kontrolli nga Prokuroria e Përgjithshme ose Prokuroria e Matit, kërkesë së cilës të ardhurit nuk iu përgjigjën. Kështu që nga ora 12:20 dhe për dy orë të tjera, përfaqësuesit e këtij misioni janë bllokuar duke mos i lejuar të shkonin në destinacionin e përcaktuar prej tyre.


Pas pak në Gurrë ka mbërritur policia vendore, e cila ka bërë të mundur zhbllokimin e makinave të misionit të KE-së, por pa mundur t'i drejtojë ata për tek banesat e fshatit, ku dhe janë hedhur akuzat serbe për transplant organesh.


Kjo ka bërë që hetuesit e KE-se në makinat e Ministrisë së Drejtësisë të kthehen për në Tiranë, pa arritur të shkojnë tek banesat e shënjuara si vend trafikimi.


Banorë të fshatit të cilët kanë protestuar për këtë mbërritje të hetuesve u shprehën se ishte hera e dytë që persona të tillë vinin për t'u kontrolluar shtëpitë pa asnjë paralajmërim dhe madje pa një autorizim nga prokuroria që u lejonte të bënin veprime të tilla.


Akuzat e Del Pontes


Sipas akuzatorëve (qeveria serbe dhe Karla del Ponte) bëhet fjalë për serbë të Kosovës, të mbajtur të burgosur, që u zhdukën gjatë apo pas bombardimeve të vitit 1999. Sipas këtyre burimeve, një numër i pacaktuar trupash janë trafikuar në Shqipëri. Gjykatësja Del Ponte në librin e saj "The Hunt" (Gjuetia) të botuar në Itali i mëshon këtyre rasteve.


"Disa hetues të UNMIK-ut dhe gazetarë kanë zbuluar shtëpinë në Burrel (pikërisht banesa në fshatin Gurrë) ku bëheshin këto operacione, - bën të ditur gjykatësja Del Ponte.


- Hetuesit gjetën pajisje mjekësore të përdorura gjatë operacioneve, si dhe shenja gjaku në muret e shtëpisë dhe në dysheme",- rrëfen ajo. Më pas Del Ponte shton se këto hetime u mbyllën sepse po bëheshin gjithnjë e më të vështira, thuajse të pamundura. Kosova dhe Shqipëria i kanë konsideruar akuzat e Del Pontes të pabaza.


Ministria e Drejtësisë hesht për konfliktin


Migena Demirxhi, zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë, e cila shoqëronte ditën e djeshme përfaqësues të misionit të KE-së në Shqipëri nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë lidhur me ngjarjen e ndodhur.


E telefonuar nga "Shekulli" dhe e pyetur ajo është përgjigjur vetëm me shprehjen "Nuk kam asgjë për të thënë" duke heshtur për pretendimet e ngritura nga banorët se ata kishin mbërritur në fshatin Gurrë pa autorizimet përkatëse që u jepnin të drejtën të ushtronin kontroll.


Në fakt, pesë vjet më parë, kur 15 prokurorë të Gjykatës së Krimeve të Luftës kryen verifikime në këtë zonë, ata ishin të shoqëruar nga kryeprokurori i Matit, si dhe nga organet e policisë. Në atë kohë, sipas kryeprokurorit Arben Dyla ishte rënë dakord që nëse do të kërkoheshin të tjera veprime hetimore, si ajo e mundësisë së zhvarrimeve apo shkatërrimit të banesës së Katuçëve, hetuesit e huaj duhet të kishin siguruar autorizim nga autoritetet e larta të organit të akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›