Gjimnazet, rregulla të reja për mësuesit në klasë
Rregulla të reja për mësuesit. Drejtoritë vendosin: Jo më veshje ekstravagante, si dhe tymosja të jetë e kontrolluar.
Drejtoritë arsimore, në bashkëpunim me drejtoritë shkollore kanë vendosur bashkërisht të forcojnë edhe më tej masat shtrënguese, qoftë ndaj nxënësve, ashtu edhe ndaj mësuesve, të cilët thyejnë rregullat disiplinore. Rregullorja e brendshme e gjimnazeve, e cila në vetvete përmban rreth 20 masa, do të vlejë njësoj për të dyja palët, ku detyrimet do të jenë të patolerueshme. Risia në rregulloren e re të përgatitur, do të jetë pikësëpari rregullimi i pirjes së duhanit në ambientet e shkollës. Nëse për nxënësit është lënë që pirja e duhanit të jetë kategorikisht e ndaluar, si brenda ashtu edhe jashtë ambientit të shkollës, për mësuesit është bërë një tolerim paksa i vogël, por edhe ky i kushtëzuar. Kështu, në pamundësi për të ndaluar vesin e duhanpirjes, drejtoritë e shkollave kanë rënë dakord, që mësuesit të tymosin cigare në shkollë, por me një kusht, që tymosja të bëhet në sallën e mbledhjeve gjatë pushimeve të vogla ose të mëdha dhe jo në klasë apo në korridor. "Për mësuesit, të cilët nuk do t'i binden këtij rregulli, - informojnë burime në drejtoritë e gjimnazeve, - do të merren masa disiplinore, fillimisht vërejtje me paralajmërim, deri në përshkallëzimin e masës, pezullim nga puna dhe kalimin për shqyrtim të rastit në drejtorinë arsimore përkatëse, e cila do të marrë edhe vendimin përfundimtar". Duhani është pika e parë, por jo e vetmja, që mësuesit do të duhet t'i nënshtrohen gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Edukatorët do të duhet të kenë edhe sjellje të lartë etiko-morale gjatë qëndrimit në shkollë. Rregullorja e brendshme e shkollës sanksionon ndalimin e veshjeve ekstravagante për mësuesit, ku futen dekoltetë e hapura, mbajtja e fundeve sipër gjurit, lyerja e ekzagjeruar e syve, deri te krehja e flokëve dhe ngjyrosja e tyre, e cila duhet të jetë e rregullt. Rregulli vlen edhe për mësuesit meshkuj, të cilët duhet të kenë veshje serioze në shkollë, si edhe të ndalojnë konsumimin e pijeve alkoolike para dhe gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Edhe në këtë rast, në konstatim të mosrespektimit të rregullores, mësuesit do të përballen me masa ndëshkuese, të cilat do të kalojnë nga e shkruara e bardha në të zezë në zbatim praktik. Për mësuesit, të cilët thyejnë rregullin e veshjes ekstravagante, do të merret e njëjta masë si për shkeljen e urdhrit për pirjen e duhanit në ambientin jo të duhur shkollor; fillimisht vërejtje me paralajmërim, më pas kalim në masa më të rënda ndëshkuese, deri në pezullim nga puna. Pika e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, që tani duhet ta respektojnë edhe mësuesit është fikja e celularit gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Megjithëse, deri tani ky rregull ka qenë më shumë në fuqi për nxënësit, tani e tutje ky urdhër vlen njësoj edhe për edukatorët e tyre, të cilët duhet ta ndezin aparatin vetëm pasi të kenë dalë nga mësimi.
Ikja nga ora e mësimit nuk do të justifikohet. Gjimnazet: Nuk do pranohen raporte nga mjekët, pa ardhur prindi
Mungesat pa leje, justifikimi nga prindërit
Duke filluar nga viti shkollor e në vazhdim, mungesat 1-orëshe, nuk do të justifikohen më pa praninë e prindërve. Vendimi u përket drejtorive shkollore, pas verifikimit të numrit të lartë të mungesave, që u konstatuan sidomos në semestrin e parë të vitit shkollor që lamë pas, ku vetëm në gjimnazet e Tiranës, u verifikuan në total në përfundim të semestrit rreth 150 mijë mungesa, rreth 60 për qind e të cilave pa arsye. Në bisedat me gazetën "Shekulli", drejtues të shkollave u shprehën se numri i lartë i mungesave vinte si shkak i largimit pa arsye të nxënësve nga ora e mësimit, për t'iu shmangur notën negative. Ata thanë se një ndihmë të madhe në justifikimin e mungesave jepnin edhe mjekët, të cilët në mënyrë të papërgjegjshme, lëshonin kundrejt një pagese nëndorë, raporte jo të rregullta për nxënësit. Kjo situatë ka bërë që drejtuesit e shkollave të ndryshojnë strategji, duke kërkuar që justifikimi i mungesave 1-orëshe tani e tutje të bëhet vetëm në prani të prindit, në rast të kundërt, nxënësi nuk do të pranohet në shkollë. Po kështu, çdo mësues do të ketë të ndaluar të largojë nxënësit nga ora e mësimit, për aktivitete shkollore apo jashtëshkollore, pa miratimin e drejtorisë përkatëse
Rregullat për mësuesit
- Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularit në procesin mësimor nga mësuesit;
- Asnjë mësues nuk ka të drejtë të nxjerrë nga mësimi nxënësit për aktivitete shkollore ose jashtëshkollore, ose kur nxënësi kryen shkelje disiplinore;
- Për mësuesit, pirja e duhanit lejohet vetëm në sallën e mbledhjes, ndërkohë që ndalohet kategorikisht tymosja në klasë apo në korridor;
- Ndalohet veshja ekstravagante dhe me tualet të theksuar për mësuesit. Uniforma është e detyrueshme;
- Mësimi fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 13:00. Në rast se shkolla do punojë me turne, do të përdoret orar tjetër. Mësuesi duhet të paraqitet 20 minuta përpara fillimit të mësimit;
- Porta e jashtme do të mbyllet në 7.55 dhe nuk lejohet të hyjë asnjë mësues pas kësaj ore, vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me përjashtime;
- Gjatë mësimit do të qëndrojnë të mbyllura porta e jashtme dhe e brendshme dhe nuk lejohen të hyjnë njerëz të huaj. Takime me drejtorinë, mësues dhe sekretaren do të bëhen pas mësimit;
- Në rast se ndonjë klasë mbetet pa mësim nën kujdesin e dezhurnit të katit, do të dalë jashtë mjedisit mësimor.
Rregullat për nxënësit
- Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve në procesin mësimor nga nxënësit;
- Nuk do të dalë asnjë nxënës nga mësimi për shkelje disiplinore ose me kërkesën e mësuesve të tjerë për aktivitete etj.;
- Nuk do të justifikohen mungesat 1-orëshe, por vetëm ato ditore, sipas rregullave nga mësuesit kujdestar
- Për çdo prishje të mjedisit të shkollës dhe të bazës materiale mësimore, do të ketë zhdëmtim të menjëhershëm individual ose kolektiv;
- Ndalohet kategorikisht përdorimi i pijeve alkoolike, duhanit nga nxënësit në mjediset e shkollës;
- Ndalohet veshja ekstravagante dhe me tualet të theksuar për nxënësit. Uniforma është e detyrueshme;
- Mësimi fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 13:00. Në rast se shkolla do punojë me turne, do të përdoret orar tjetër;
- Nxënësi paraqitet në shkollë nga ora 7.30-7-50;
- Porta e jashtme do të mbyllet në 7.55 dhe nuk lejohet të hyjë asnjë nxënës pas kësaj ore;
- Në rast se ndonjë klasë mbetet pa mësim nën kujdesin e dezhurnit të katit, të dalë jashtë mjedisit mësimor;
- Nxënësi që nuk frekuenton më tepër se 30 për qind të orëve mësimore, përsërit klasën;
- Nxënësi që mungon nga 20-50 % të orëve të mësimit në lëndë të veçanta gjatë një semestri, merret në provim në fund të tij. Në rast se nuk paraqitet konsiderohet i paklasifikuar. Kur ka munguar mbi 50 për qind nuk klasifikohet;
-Nxënësi, i cili bën 30 mungesa (orë mësimi) të paarsyeshme, paralajmërohet për përjashtim dhe njoftohet prindi nëpërmjet mësuesit kujdestar. Në të gjitha rastet kur ndaj nxënësit merren masa ndëshkimore, bëhen shënimet përkatëse në regjistër dhe në amzën e shkollës dhe njoftohet prindi i nxënësit.