E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Kukësit, pista do të shtohet me 250 m

Pista aktualisht është 1,900 metra e gjatë dhe aeroporti është testuar me sukses


KUKËS: Aeroporti i Kukësit do të vihet në funksionim, por më parë do të zgjerohet pista, pasi sipas projektuesve, pista aktuale nuk i plotëson standardet. Njëri prej bashkëprojekuesve shqiptarë të Aeroportit të Kukësit ka bërë të ditur për "Shekulli"-n se Ministria e Transporteve e Telekomunikacionit i ka kërkuar projektin e aeroportit, duke i ngarkuar detyrën si bashkëprojektues, që të bëjë një ndryshim, pikërisht në zgjatjen e pistës së fluturimit me 250 metër.


"Pista aktuale nuk i plotëson standardet ndërkombëtare",- është shprehur projektuesi shqiptar, duke iu referuar zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, pa dhënë detaje të tjera lidhur me këtë problem. Ndërkaq, edhe Këshilli i Qarkut të Kukësit ka miratuar lejen për ndryshimin e projektit në aeroportin e Kukësit.


Pista e tij do të zgjatet në pjesën juglindore nga ana e fshatit Bicaj. Zgjatja e pistës së aeroportit mund të lidhet me faktin e përdorimit të tij për qëllime ushtarake, pasi ai është i kategorisë C(ICAO) dhe plotëson të gjitha standardet e ulje-ngritjes së avionëve civilë, që qarkullojnë aktualisht.


Ky aeroport është i gatshëm për fluturime që nga nëntori i vitit 2007, kohë në të cilën përfundoi testi i sistemit të navigimit i quajtur ndryshe "Flight Checking", nga një kompani e specializuar greke.


Pas përfundimit të testimit të sistemit të navigimit, në Kukës u ngjallën shpresat se aeroporti i Kukësit do të fillonte nga puna dhe mund të vihej në funksion edhe të udhëtarëve nga Kosova. Ndërkohë që drejtoria e Aviacionit Civil, e cila ka marrë në dorëzim aeroportin nuk ka ndërmarrë asnjë lëvizje lidhur me kualifikimin e punonjësve të këtij aeroporti, ku mendohet që të shërbente një personel me rreth 40 persona.


Ky projekt së bashku me të gjitha pajisjet e nevojshme për një aeroport ka kapur vlerën e rreth 30 milionë dollarëve, që janë akorduar falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas projektit dhe standarteve mdërkombëtare, ai është i kategorisë C(ICAO), me gjatësi të pistës 1900 metër dhe gjerësi 70 metër.


Aeroporti përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë ulje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vend-qëndrimi për 6-7 avionë të tipeve të ndryshme, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5000 metra, si dhe vendparkimi i mjeteve private.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›