Laç, të shtëna arme në mes të qytetit
LAÇ – Të shtëna me armë, në mes të ditës në Laç. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:30, në bulevardin kryesor në lagjen Nr.3 të qytetit. Burime të Policisë thanë se ka pasur një konflikt për motive ende të paqarta, ku një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një shtetasi tjetër. Por, pas të shtënave, për motive ende të mistershme, janë larguar si autori ashtu edhe i dëmtuari. Në vendin e ngjarjes janë fiksuar katër gëzhoja pistolete model 54, si dhe disa njolla si ato të gjakut. Nga ana jonë është verifikuar nëse ka shkuar ndonjë person në Spitalin e Laçit apo të Lezhës, por nuk rezulton asnjë i plagosur me armë zjarri, bëri të ditur Policia. Pas hetimit të kryer dhe marrjen e dëshmive nga persona që janë ndodhur aty, Policia arriti të bëjë identifikimin e dy personave të përfshirë në konflikt. Nga të dhënat operative rezulton se konflikti ka ndodhur mes shtetasve Eduart Ndreca, banues në Fushë- Mamurras të Kurbinit, i cili është autori i ngjarjes, dhe shtetasi Napolon Doçi, banues në Laç, i cili është i dëmtuari, bëri të ditur policia. r.n