Mate Dragiçeviç, një sulmues për Kastriotin
Një nga kandidaturat e mundshme, për të qenë sulmues i Kastriotit është shtatlarti, Mate Dragiçeviç. Ky i fundit ka luajtur me klubet më të mira të Kroacisë, si Hajduk e Dinamo, e deri në kampionatin rus me Khimskin. Ndërkohë që Dragi-çeviç sezonin e kaluar ka qenë pjesë e skuadrës Leotar në kampionatin e Bosnjë Hercegovinës. Ai është një sulmues, për të cilin flasin shumë mirë edhe kroatët që aktivohen me Kastriotin, të cilët e njohin nga eksperiencat e përbashkëta që kanë pasur në kampionatin kroat. Mate Dragiçeviç është 1.88 i gjatë dhe nga informacionet e marra është një nuhatës i mirë i portës së kundërshtarit. Duke parë cilësitë e tij, por edhe eksperiencën, Dragiçeviç do të ishte ideal për skuadrën e Kastriotit për sezonin e ri futbollistik. Gjithsesi, është vetëm një nga “mundësitë” që po studiojnë drejtuesit e skuadrës krutane, të cilët duhet të përballen edhe me faktorin kohë, pasi kampionati është në prag.
Rumunët - Duket se edhe dy rumunët, Marius Roman dhe Andrei Mutulesku, të cilët janë larguar tashmë nga kampingu i Ohrit, ku Kastrioti po zhvillon fazën përgatitore, për tu rikthyer sërish. Sipas stafit teknik të Kastriotit, ata do të vijnë tashmë me dokumentat e nevojshme në fillim të javës tjetër. Kjo është një tjetër mundësi e skuadrës krutane për të plotësuar repartin sulmues brenda kohës së vlefshme për fillimin e sezonit. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet brenda këtyre dy ditëve. Murat Aruçi