E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bind Elbasani, thyen Besën me dy super-gola

Miqësorja/ Verdheblutë mundën 2-1 ekipin e Duros

Një Elbasan ndryshe nga dy taki-met e fundit miqësore është shfaqur dje në “Ruzhdi Bizhuta”, teksa ka mundur Besën me rezultatin 2-1. Ndonëse të njëjtët që ishin në testin e fundit kundër Apolonisë, këtë here verdheblutë kanë bindur, duke lënë të kënaqur jo vetëm stafin teknik, por edhe atë drejtues. Miqësorja e djeshme që në fillim nisi me gol. Ishin pikërisht djemtë e Alimehmetit, të cilët në minutën e dytë me anë të Orges Gavës, i cili shënoi një supergol, arritën të dilnin në avantazh.
Gava ka lëshuar një “predhë” me të jashtmen, çka ka lënë të shtangur jo vetëm mbrojtjen kavajase, por edhe portierin Edvin Bakaj. Pas kësaj, verdheblutë do të fitojnë siguri, duke u organizuar mjaft mirë, kjo edhe falë këmbëve të Dorian Bylykbashit, i cili pa dyshim ka qenë edhe ideatori i të gjitha sulmeve të skuadrës në këtë takim miqësor. Nuk do të kalojë shumë nga shënimi i golit të parë dhe skuadra e Elbasanit do të rrezikojë sërish me anë të sulmuesit Sadiku, por topi devijohet në momentin e fundit nga portieri Bakaj në goditje këndi. Loja duket se do të ekuilibrohet dhe verdheblutë do të dominojnë në mesfushë. Nga ana tjetër, Besa do të jetë e qartë në lojën e saj, pavarësisht mungesës së katër titullarëve në formacion. Në minutën e 25-të sulmuesi Dos Santos, pas një pasimi të gjatë të ardhur nga mesfusha fiton një 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e penalltisë do ta marrë përsipër Mihani, i cili do ta shndërrojë në gol. Edhe pse barazohen shifrat, Elbasani nuk demoralizohet, përkundrazi e rrit më shumë ritmin e lojës, duke u shfaqur rrezikshëm, sidomos me lojën nga krahët. Nuk do të kalojnë as 16 minuta dhe Sadiku do të shënojë një eurogol nga një distancë afërsisht 25-metra, duke lënë të shtangur për herë të dytë portierin Bakaj. Në fraksionin e dytë të lojës, të dy trajnerët si Duro ashtu edhe Alimehmeti do të bënin zëvendësime, duke hedhur në fushë të rinjtë. Pavarësisht lojës së mirë, rezultati i pjesës së parë do të mbetej i pandryshuar. Përpjekjet e elbasanasve për të shënuar golin e tretë ishin reale dhe Bakiu i futur në pjesën e dytë nuk arriti që t’i kthejë në gol disa pasime të sakta të Bylykbashit. Ndërsa miqtë nga Kavaja, me anë të Dos Santos dhe Cikalleshit, shfaqen të rrezikshëm por pa sukses.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›