E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe në “kaos”, deklarata kontradiktore pas humbjes

BOSNJE- Në Bosnje, pas takimit të humbur 2-0, trajneri Josip Kuzhe ka pranuar se ka gabuar me ndërrimet apo me vendimet e tjera. Por, duke folur për mediat boshnjake, trajneri ka pranuar se Shqipëria bëri një ndeshje shumë të dobët dhe se futbollistët nuk ishin aspak në formë. “Bosnja e meritoi fitoren, ndërsa ne bëmë një ndeshje shumë të varfër, - është shprehur trajneri kuqezi. – Skuadra boshnjake ishte disi e lodhur, por ne luajtëm me shumë futbollistë që nuk janë aspak në formë. Menduam se mund të arrinim barazimin, por nuk luajtëm mirë në mbrojtje apo në sulm. Bosnja arriti të shënonte pas një mendjelehtësie tonën”, ka deklaruar më tej Josip Kuzhe. Në fakt, pikëpyetjet më të mëdha mbi teknikun bien në rastin e zëvendësimit të Erjon Bogdanit, një nga më të mirët në fushë në pjesën e parë. “Ishte i dëmtuar, prandaj e nxorra”, u shpreh pas takimit Kuzhe. “Pyesni trajnerin, por unë nuk kam asnjë dëmtim. Nëse vazhdohet kështu, atëherë mund të iki”, sqaroi Bogdani pas fjalëve të kroatit, duke e nxjerrë atë blof në lidhje me argumentimin.
Rikthimi
Sot, pas rikthimit në Tiranë, trajneri i përfaqësueses shqiptare Josip Kuzhe ka qenë i vetmi që ka folur për gazetarët, duke argumentuar atë çfarë ndodhi në Zenica, ku Shqipëria u mund 2-0 nga Bosnje-Hercegovina. Në fjalët e tij është vënë re një tërheqje nga deklarata pas takimit, kur ai u shpreh se Bogdani ishte i dëmtuar, kjo edhe pas përgënjeshtrimit që i bëri vetë sulmuesi kuqezi. “Nuk kishim çfarë të bënim më shumë, por nuk duhet të harrojmë se Bosnja është një ekip shumë i mirë, - u shpreh trajneri i kombëtares. – Ndërrimet? Bogdanin e nxorra, sepse ata na kishin marrë shumë terren në mesfushë dhe doja ta përforcoja këtë repart, por për fat të keq nuk funksionoi”. Po pse u futën në fushë tre futbollistë të krahut të djathtë, në një kohë që në stol ishte edhe Bakaj, që mund të luante në këtë krah? Kuzhe e ka përgjigjen edhe për këtë, ndonëse ajo nuk duket fort bindëse. “E mendova që të fusja Bakaj, gjithsesi tani mund të flasësh shumë, por në ato momente m’u duk zgjidhja më e mirë. Natyrisht që edhe unë jam shumë i zhgënjyer për atë që ndodhi, por skuadra nuk ishte në ditën më të mirë”, sqaroi Josip Kuzhe.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›