E Shtunë, 31 Tetor 2026

Materialet zgjedhore, si ruhen kutitë e krizës

Arkat ku mbahet i gjithë dokumentacioni i 28 qershorit qëndrojnë në dy magazina në Lundër

Dy magazina në periferi të Tiranës, në Lundër, janë aktualisht vendi i administrimit fizik të kutive të materialit zgjedhor dhe atyre të fletëve të votimit. Të ruajtura në kushte sigurie të lartë dhe nën parametra të standardizuar ambientalë, kutitë si të tilla edhe në këtë sens duket se po konservojnë mjaft mirë përmbajtjen e tyre. Ligjërisht ky magazinim është thjesht një zbatim rutinë i procedurës që buron nga Kodi Zgjedhor dhe që nuk ka pasur vëmendjen e tanishme për shkak se procesi i asgjësimit të fletëve të votimit nuk ka qenë përcaktues në fshirjen ose jo të drejtësisë së rezultatit të zgjedhjeve. Rrjedhimisht edhe interesi publik për sa i përket procedurës së administrimit të kutive të votimit, magazinimit, asgjësimit të fletëve të votimit dhe mandej zgjidhjes së dilemës, duket se do të mbahet i lidhur deri sa kutitë të mediatizojnë statusin e tyre bosh. Konkretisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban të grumbulluara në dy magazinat e Lundrës rreth 10000 kuti, ku përfshihen si ato ku ndodhen fletët e votimit, ashtu edhe ato të materialit zgjedhor, pa harruar edhe materiale shtesë që nuk administrohen në kuti, si dhoma të fshehta etj. “Kampingu” i tyre pritet të marrë fund rreth fundit të muajit gusht, kur po t’i referohemi Kodit Zgjedhor, por edhe prononcimeve të drejtuesit të KQZ, Arben Ristani, do të vihet në lëvizje procesi i asgjësimit dhe arkivimit. Për këtë, si “sinjal” do të shërbejë dekreti i pritshëm i Presidentit të Republikës për zgjedhjet e pritshme lokale, i cili dikton vendosjen në dispozicion të logjistikës elektorale. Hapi i parë realizohet përmes një vendimi të KQZ, për hapjen e kutive të votimit, shoqëruar me atë për asgjësimin e fletëve të votimit. Materiali zgjedhor, ku përfshihen lista zgjedhësish, procesverbale, tabela rezultatesh etj., dorëzohet në Arkivin e Shtetit përmes procesverbaleve të posaçme. Pas këtij momenti ai është i hapur për t’u kontrolluar apo konsultuar nga të gjithë qytetarët. Sa u përket fletëve të votimit, ato në zbatim të akteve të KQZ, pasi hapen kutitë e administrimit të tyre, asgjësohen kryesisht përmes metodës së djegies në ambiente të posaçme. Deri më tani duhet thënë se kjo procedurë është bërë në prani të nëpunësve të KQZ, por në kontekstin aktual duhet pritur një interes shtesë i publikut, ndoshta edhe i politikës. Numri i tyre shkon afërisht në 3 milionë e 180 mijë dhe aktualisht mund të thuhet se janë fletët e votimit më të përfolura në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Teknikisht procesi i sipërpërmendur rregullohet nga Kodi Zgjedhor në dispozita të posaçme që synojnë qëllime strikte dhe itinerar apo destinacion përfundimtar të materialit elektoral. Për këtë arsye është e vështirë të parashikohet një dublim i procedurës në fjalë, kësaj radhe jo për arsye të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme, por për qëllime hetimore. Kjo pasi vendimi i hapjes së kutive nga KQZ detyrimisht shoqërohet me arsyetimin e tij, qëllimin dhe destinacionin, i cili në kuptim të Kodit jep vetëm një mundësi: asgjësimin. Kutitë mbahen të mbyllura me kode ku janë regjistruar numra unikë serialë, çka ka rëndësi procedurale dhe siguron përmbajtjen e tyre nga ndërhyrjet e paautorizuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›