Berisha: Jam Kryeministri i kombit që jeton në 3 shtete

“Jam kryeministri i Shqipërisë, një komb që jeton në tre shtete të tjera. Por, sido që të jetë, ky është një vazhdim gjeografik dhe etnik. Askush nuk është një enklavë. Por unë e them me zë të lartë, se ruajtja e kufijve aktualë është në interes të shqiptarëve”. Kështu deklaroi dje shefi i qeverisë, Sali Berisha, duke folur para kolegëve të tij në samitin e Dubrovnikut, që trajton temën “Europa Juglindore, përballja me sfidat globale”.
Berisha theksoi se për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që të bëjë që idealet tona të prevalojnë. “Kështu, unë mendoj që ruajtja e kufijve aktualë ka një rëndësi thelbësore”. Më tej z. Berisha tërhoqi vëmendjen për bashkëpunimin rajonal, që tha se “është jetësor për ne”. Megjithëse ekziston një vullnet i fuqishëm, ai nuk është në nivelin e duhur, kritikoi Berisha. Ai pohoi se “ne tani po luftojmë së bashku krimin e organizuar, por shtoi se “duhet të bashkojmë të gjitha mjetet tona”. Berisha vërejti se “na mungon një bashkëpunim në infrastrukturë” dhe shtoi: “Megjithëse Bashkimi Europian ka bërë investime të shumta, investime të tjera në infrastrukturë në rajonin tonë do të ishin shumë të rëndësishme”. Në samitin dyditor ku ka shkuar Berisha, marrin pjesë edhe kryeministrat e Kroacisë, Jodranka Kosor; Italisë, Silvio Berluskoni; Francës, Francois Fillon; Polonisë, Danald Tusk; Sllovenisë, Borut Pahor; Bullgarisë, Boyko Borisov; Malit të Zi, Milo Gjukanoviç; Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Spiriç; Kosovës, Hashim Thaçi; si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian.
Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, në fjalën e saj inkurajoi vendet e Ballkanit: "Jam e sigurt se me objektivat e realizuar dhe përparimet e bëra, Kroacia u dërgon një sinjal pozitiv vendeve të tjera që duan të hyjnë në familjen europiane. Pikërisht për këtë arsye vendet në juglindje të Europës mund të shpresojnë në ndihmën e fuqishme të Kroacisë". Ndërsa Presidenti kroat, Ivo Josipoviç, vlerësoi përparimet e rajonit: "Transformimi ynë nga një rajon problematik, në një rajon paqeje dhe bashkëpunimi, është kontributi ynë i parë në arkitekturën aktuale politike të Europës".
#