Mati në honin e harresës
Ndodh shpesh që kur ti thuash dikujt se jam nga Mati, ndeshesh me një farë habie në shikimin e tjetrit.
Duket sikur i ke thënë emrin e ndonjë krahine që është jashtë Shqipërisë.
Dhe në të vërtetë është emri i një krahine kufi me Tiranën sot, se në kohët e lashta vetë Tirana ishte brenda kësaj krahine që aso kohe quhej Emathia.
Kur i tregon bashkëfolësit se në Mat ka lindur Skënderbeu, se aty u shkrua dhe u predikua për të parën herë në shqip formula e pagëzimit, se po aty lindi poeti i parë i shqiptarëve Pjetër Budi, Rexhep Pashë Mati, mbreti Ahmet Zogu e të tjera fakte historike që i japin Matit përmasën e shtyllës kurrizore të vetë kombit shqiptar, ai (bashkëfolësi) të ndërpret duke të thënë: Ah po, aty ndodhet dhe burgu i Burrelit.
Çfarë ironie therëse! Patjetër jo për faj të tij. E pra, dikur në kohën e të ashtuquajturit social-komunizëm, Mati, përveç resurseve të tjera, përmendej edhe për kromin.
Kromi çan bllokadën, shkruhej nëpër parullat që ishin në modën e mendësisë së atëhershme.
Dhe si për ironi ishte shumë e vërtetë, kromi mbante dhe mban akoma një peshë shumë të madhe në ekonominë e Shqipërisë.
Madje në mes maleve të atjeshëm u ngrit një qytet minatorësh me emrin Krastë (Krasta e Martaneshit).
Dhe përsëri si për ironi atje u ngrit dhe një burg që quhej burgu i Batrrës, ku të burgosurit shfrytëzoheshin si minatorë dhe jetonin e punonin në kushte skandaloze.
Po për çudi nuk flitet për ekzistencën e këtij burgu, ndërsa për burgun e Burrelit dhe të Spaçit bien boritë e alarmit herë pas here.
Pse kjo heshtje e çuditshme!? Pakujdesi e qëllimshme!? Pse jo!? Dhe kur shikon që atje po shkatërrohen malet që iu deshën mijëra vite të merrnin formë nga dora e nënës natyrë, nuk ka asnjë arsye që të mos shkojë mendja te heshtja e qëllimshme!
Të pangopurit me para e pushtet, i kanë hyrë malit me makineri të fuqishme gërryese e shkojnë te formacioni gjeologjik i kromit, duke shkatërruar ekosistemin natyrorë.
Për ironi përsëri patjetër që ndonjë inspektor paguhet për të heshtur, plus rrogës që merr nga shteti për të denoncuar shkelje flagrante të tilla.
Dhe kjo është njëra anë e problemit (me pasoja mbarë kombëtare për natyrën dhe shëndetin e njeriut të nesërm), ana tjetër është nxjerrja e krahut të punës jashtë loje (kuptohet se përse), pra nuk ka nevojë për minatorë e për qytet minatorësh! Po ka nevojë për heshtje, heshtje dhe vetëm heshtje! Po futemi në kthetrat e mafies!?
E para, shpesh kohët e fundit kemi dëgjuar të flitet për mafien e kromit! Krasta dhe rrethinat e saj arbitrarisht nga nervozizmi i një X-ish deputeti të dikurshëm i hiqet Matit dhe i kalon Bulqizës.
Dhe përsëri heshtje! Në Burrel është dhe një uzinë ferro-kromi, që dikur çante bllokadën, po që mbahet mbyllur për arsye krejt absurde për kaq e kaq vite dhe përsëri heshtje!
Një heshtje krejt e dyshimtë!
Kërkohet të bëhet rruga e Arbrit, siç është bërë zakon të quhet një rrugë karvanësh mes malesh (e pamundur për tu bërë për koston e madhe që kërkon) dhe kjo ska gjë te keqe, pse jo të ketë sa më shumë rrugë dhe mundësi komunikimi.
Po kjo sduhet të thotë që të mos rregullohet, meremetohet dhe asfaltohet rruga Burrel-Qafshtamë-Krujë-Tiranë (rrugë e shënuar në hartë si rrugë nacionale qysh nga koha e Zogut), gjë e cila kërkon shumë më pak shpenzime dhe afron Maqedoninë me Tiranën gati po njëlloj sa edhe e quajtura Rruga e Arbrit.
Ah po, po të ishte e mundur hapja e një tuneli Burrel-Tiranë, patjetër që do ishte shumë më mirë.
Ky opsion do të zgjidhte problemin e ujit të pijshëm për gjithë ultësirën qendrore të Shqipërisë, duke qenë se ky grup malesh ka rezerva të pashtershme të ujit natyror.
Po kjo nuk kërkohet dhe gati hidhet poshtë si një opsion i rrezikshëm. Pse!? Hajde gjeje në këtë mishmash që është bërë realiteti shqiptar sot!
Po kjo heshtje, e qëllimtë ose jo, po e le në harresë Matin dhe matjanët me problematikat e tyre në mbijetesën e përditshme.
Dhe mendja të shkon te përfaqësuesit politik të matjanëve në këto njëzet e ca vite, te moskryerja e misionit në dobi të banorëve që përfaqësojnë.
Madje këta përfaqësues më shumë kujdesen që emri i Matit të mos dëgjohet.
Një ish- deputet i Matit ka marrë dekoratë për qëndrim të kulturuar, pra për heshtje! Ky rast i jep ironisë përmasa mitike!
Dhe tani vijmë aty ku e nisëm, Mati sot ndodhet në honin e harresës së qëllimshme nga pushtetet e dyshimta dhe në dëm të të gjithë qytetarëve shqiptar në këto vite të fundit.
Po kjo nuk do të thotë që vetë matjanët të flenë në të keqe, e si zogj të vegjël të presin me gojë hapur ushqimin e përditshëm. Po duhet që me kurajë e guxim të gjejnë rrugët e duhura për të dalë nga kthetrat e një skllavërimi modern e të pashpresë.
Vetë matjanët e dinë që jetojnë në një vend ku natyra është treguar bujare duke u dhënë gjithçka për të jetuar krejt ndryshe nga çjetojnë sot.
Matjanët duhet të ngrihen përmbi ndasitë e qëllimshme të politikës së derisotme, e të gjejnë rrugët e bashkimit për të mirën e të nesërmes së tyre. Ujqërit me kollare e të pasuruar mbi djersën e të tjerëve, hipur nëpër pushtete absurde të të keqes nuk duhet me i mbajtë më mbi krye.
Dhe të mos harrojmë, ujqërit me kollare nuk kanë ngjyra, po kanë të njëjtën pamje! Mundësitë për mirë asnjëherë nuk mungojnë, mjafton të mendohesh pak për të përqafuar rrugën e duhur, që patjetër është e qenësishme.
