Matura 2010, ndryshon procedura e pranimit të studentëve në universitete
Tafaj rrëzon skemën e Pollos, për formularin A3 dhe A4, që janë aplikuar për vendet bosh
Jonida Tashi
Ndryshon procedura e pranimit të studentëve në universitetet publike të vendit. Bëhet fjalë për heqjen nga procesi i pranimit në universitete, të dy formularëve të aplikimit A3 dhe A4, që janë përdorur për plotësimin e vendeve të mbetura bosh nga faza e parë e pranimit. Ky lajm është bërë i ditur dje zyrtarisht nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka rrëzuar në këtë mënyrë skemën e aplikuar nga ish-kreu i këtij dikasteri, Genc Pollo. Deklaratën për ndryshimin e procesit të pranimit në universitete, kreu i Arsimit e ka bërë dje gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Kombëtare “Matura Shtetërore drejt standardeve europiane”, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, universiteteve, specialistë të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL) dhe drejtorë të drejtorive arsimore të qarqeve të ndryshme të vendit, mësues, nxënës etj. Në këtë konferencë, fokusi i së cilës ishte si do të zbatohet Matura Shtetërore e sivjetshme, Myqerem Tafaj, ka deklaruar se pranimet në universitete do të mbyllen që me formularin A2.
Pranimet në universitete
“Politika e pranimit në universitete do të ndryshojë këtë vit. Pranimet e studentëve do të mbyllen që me formularin A2, për të cilin këtë vit kemi parashikuar që maturantët ta plotësojnë brenda datës 30 qershor dhe me të katër notat e provimeve të Maturës si dhe me notën mesatare. Nuk do të ketë më formularë A3 dhe A4 për pranimet në universitete. Përdorimi i këtyre formularëve nuk është se na ka sjellë ndonjë rezultat të kënaqshëm. Këtë vit, brenda datës 15 tetor do të mbyllet procesi i pranimit në universitete”,- ka deklaruar ministri i Arsimit. Më tej, Tafaj ka bërë të ditur se këtë vit edhe kuotat e pranimit për degët e universiteteve nuk do të përcaktohen më sipas mënyrës tradicionale, ku universitetet dërgojnë propozimet në Ministri, për t’u miratuar më pas në Këshillin e Ministrave, por sipas kërkesës që kanë degët për treg pune. “Do të ulim numrin e kuotave të pranimit në degët që nuk kanë treg pune, siç është bërë Mësuesia. Përparësi do të kenë degët: Ekonomi, Biznes, Menaxhim, Teknologji informacioni, Informatika, shkencat e natyrës. Për këtë nevojitet edhe bashkëpunimi me universitetet”,- është shprehur Myqerem Tafaj. Duke pranuar faktin se këtë vit nuk mund të pretendohej për ndryshime thelbësore të Maturës Shtetërore, ministri i Arsimit ka pohuar se ky proces do të përfshihet nga ndryshime të mëtejshme me synim arritjen e standardeve europiane. Për këtë ai është shprehur se në vitet në vijim, pas 2-3 vjetësh, Matura Shtetërore në vendin tonë do të përbëhet nga katër ose pesë provime me detyrim sikurse Matura klasike europiane. Deri tani, lidhur me provimet shtesë me detyrim të Maturës dihet vetëm përfshirja e Anglishtes.
Kurset private
Shkollat nuk duhet t’i lejojnë mësuesit që të bëjnë kurse private për provimet e Maturës me nxënësit dhe një fakt të tillë duhet ta pranojnë edhe prindërit e tyre. Kjo ka qenë një tjetër deklaratë e bërë dje nga ministri i Arsimit, duke përfituar nga prania e mjaft punonjësve mësimorë në konferencë. “Kurset private janë një shprehje e qartë e korrupsionit në arsim. Nxënësit duhet të përgatiten nga mësuesit për provimet e Maturës dhe për këtë shkollat duhet të nisin që tani konsultimet për këtë proces”,- është shprehur Tafaj. Madje jo vetëm kaq, por ai ka kërkuar nga shkollat që të organizojnë këshillim karriere jo vetëm për maturantët, por edhe për prindërit e tyre, në mënyrë që të dyja palët të jenë të informuara për këtë proces. Të njëjtën gjë sikurse gjimnazet, Tafaj ka kërkuar që ta bëjnë edhe universitetet, të cilat kanë për detyrë t’i japin informacion për programet e studimit që ofrojnë, karakteristikat e tyre, sa mundësi kanë degët përkatëse të çdo universiteti për t’u punësuar etj. “Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Gjithashtu, Këshillimi i Karrierës për maturantët, këtë vit, do të marrë një bazë më të gjerë, duke përfshirë, jo vetëm fushën sensibilizuese në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe organizimin e Ditëve të Hapura për Këshillimin e Karrierës, në të gjitha qarqet dhe prefekturat e vendit”,- ka thënë Tafaj. Po ashtu, lidhur me procesin e Maturës, ministri i Arsimit ka pohuar se këtë vit, do të zbatohet për herë të parë skema e dyfishtë e vlerësimit. Kjo do të thotë se nëse dy korrigjuesit që do të vlerësojnë çdo test nuk do të kenë dalë në të njëjtin vlerësim për të njëjtin provim, atëherë testi do të vlerësohet edhe nga një korrigjues i tretë, për shkak të mospërputhjes midis dy vlerësuesve të parë.
Pesë komponentët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë
Pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë përbëhen nga pesë komponentë të cilët janë: mesatarja e shkollës së mesme; dy provimet me detyrim dhe dy provimet me zgjedhje.
Specialistët e arsimit kanë përcaktuar se sa për qind të pikëve të përgjithshme të një maturanti do të zërë secili prej pesë komponentëve. Kështu, sipas tyre, të pesë komponentët e mësipërm të Maturës do të vlerësohen me 20 për qind të pikëve të rezultatit të përgjithshëm. Për shkollat e mesme profesionale social-kulturore, përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) do të jetë e ndryshme nga ajo e shkollave të mesme të përgjithshme. Në shkollat profesionale, Letërsia do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të Maturës, kurse Matematika 25 për qind. Në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike), Matematika do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të Maturës, ndërsa Gjuha shqipe dhe Letërsia 25 për qind. Maturantët e shkollave profesionale do të ndajnë 40 përqindëshin e provimeve të detyruara, sipas profilit (social a natyror), sipas përqindjeve të mësipërme.
Përqindja e pikëve
Mesatarja e shkollës së mesme (20%)
Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-letërsi, 20%)
Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20%)
Provimi 1 me zgjedhje (20%)
Provimi 2 me zgjedhje (20%)
Degët më të kërkuara të universiteteve fitohen me mesataren mbi 8
Maturantët me mesataren mbi 8 do të kenë më shumë shanse për të vijuar shkollën e lartë në 10 degët më të kërkuara në vend. Sipas statistikave zyrtare nga Agjencia e Kombëtare e Pranimeve në Universitete (APRIAL), degët: Stomatologji; Farmaci; Mjekësi e përgjithshme; Inxhinieri ndërtimi; Informatikë ekonomike; Drejtësi; Financë; Shkenca politike; Inxhinieri elektronike dhe Psikologji janë fituar nga maturantë që notën mesatare për katër vitet e gjimnazit e kanë pasur më të lartë se 8. Madje jo vetëm kaq, por në secilën prej 10 degëve të mësipërme të fakulteteve, në bazë të kuotave të akorduara nga qeveria, nuk është shpallur fitues asnjë maturantë poshtë notës 8. Duke qenë se kërkesat e të rinjve për të vijuar studimet në këto degë, çdo vit kanë qenë tepër të larta, ndërsa kuotat e pranimit të kufizuara, aty kanë mundur të ulen në auditorë studentë të përgatitur. Megjithëse mesatarja do të zërë vetëm 20 për qind të pikëve të përgjithshme në provimet e Maturës, ajo është një përcaktuese me peshë në rezultatet e provimeve. Ndonëse nga praktikat e viteve të kaluara kemi pasur rastin të shohim maturantë që edhe pse kanë pasur një notë të mirë mesatare nuk janë shpallur fitues në degët e preferuara, më së shumti bie në sy se nxënësit me mesatare të lartë kanë pushtuar degët më të mira të universiteteve. Burime nga kjo Ministria bëjnë të ditur se pesha e mesatares në provimet e Maturës Shtetërore nuk ka ndryshuar, ajo do të zërë 20 për qind të rezultatit të përgjithshëm të maturantëve, ashtu si edhe në 3 vitet e fundit. Megjithëse një vit më parë, vlerësimi i mesatares me kaq pikë u kontestua nga mjaft maturantë, pasi sipas këtyre të fundit, të drejtën e studimit e fituan edhe shumë nxënës me mesatare të ulët, Ministria ka vendosur të mos e ndryshojë peshën e mesatares edhe këtë vit. Për pasojë, për t’u shpallur fitues për në universitet, maturantët duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi pikëve të marra në provime, pavarësisht mesatares që kanë.
NR EMËRTIMI_DEGA KUOTA MES 4 MES 5
1 Stomatologji 80 8.95 9.1
2 Farmaci 100 8.91 9.08
3 Mjekësi e Përgjithshme 300 8.76 8.95
4 Inxhinieri Ndërtimi 150 8.69 8.86
5 Informatikë Ekonomike 100 8.55 8.75
6 Drejtësi 400 8.48 8.6
7 Financë 460 8.36 8.57
8 Shkenca Politike 100 8.35 8.5
9 Inxhinieri Elektronike 150 8.27 8.48
10 Psikologji 100 8.18 8.26
10 Shkurt 2010