Fondacioni Vodafone Albania në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar shikimi
Jemi në shoqërinë e informacionit, ku çdo gjë mban emrin shpejtësi. Kompjuteri është kryefjala e çdo bisede dhe përdorimi i tij është tashmë “pasaporta” e integrimit në punë e në shoqëri. Një pasaportë të cilën Shoqata e të verbërve të Shqipërisë me financimin dhe mbështetjen e dedikuar të Fondacionit Vodafone Albania, ua siguron komunitetit të personave të verbër me anë të projektit “Hap një dritare”. Mësimi i kompjuterit nga personat e verbër, fillimisht dukej mision i pamundur. Por nëpërmjet programit Xhaus (JAËS), ky komunitet arriti të përqafojë me sukses përfitime nëpërmjet përdorimit të të rejave të teknologjisë. Transkriptimi i shkrimit në audio si dhe përdorimi i kompjuterit në mënyrë të pavarur për funksione edukative dhe studimore, motivuan kursantët të avanconin dijet e tyre me shpejtësi. Para se të arrihej këtu, sigurisht është bërë një punë e madhe. Një ekip prej 5 instruktorësh të përgatitur nga institucione të specializuara, ndihmuan dhe dhanë kontributin e tyre për të gjetur mënyrat e përshtatshme dhe për të përcjellë sa më mirë dijet e tyre tek kursantët. Aktualisht në botë, personat me aftësi të kufizuar në shikim, përdorin shumë produkte të cilat funksionojnë me programe në audio. Nisur nga njohja e nevojave të komunitetit si dhe kushteve të vështira financiare të të verbërve, Fondacioni Vodafone Albania si një dëshmi e kontributit të një biznesi të përgjegjshëm, mbështeti financiarisht nisjen e zhvillimin e këtij projekti, ku përfshihet blerja e pajisjeve dhe programeve kompjuterike, si dhe ngritja e qendrave të trajnimit ne 9 rrethe. Qytetit të Tiranës, që tashmë ka dhe qendrën më të madhe, i shtohen edhe qendrat në Durrës, Elbasan, Shkodrër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë dhe Tepelenë. Sipas përfaqësuesve te Fondacionit Vodafone Albania, përfitimi më i madh në këtë iniciativë është pikërisht fakti se këto qendra janë të qëndrueshme në kohë dhe do t'u shërbejnë edhe qindra dhe mijëra përfituesve të tjerë të verbër në vitet që do vijnë. Ky projekt dëshmoi dhe njëherë se në epokën e informacionit, personat me aftësi të kufizuar në shikim, janë njësoj si gjithë të tjerët. Tashmë i mbetet shoqërisë që t’i dëshmojë përfituesve të verbër, që të gjithë së bashku, duke filluar që nga shoqëria civile, institucionet publike, biznesi e deri tek formacionet politike, t'i ofrojmë këtij komuniteti shanse të barabarta në çdo drejtim.
10 Shkurt 2010