E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, Mjekësisë Ligjore: Ekzaminoni ekstrat e 19 viktimave

Prokuroria e Tiranës i kërkon Mjekësisë Ligjore fillimin e ekzaminimit të eshtrave të gjetura pak ditë më parë në Malin e Dajtit. Pas marrjes në dorëzim të 19 eshtrave të gjetura rastësisht, Mjekësia Ligjore ka nisur punën për ekzaminim e tyre për përcaktimin e saktë të kohës kur janë vrarë dhe identifikimin e eshtrave.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besnik Ymeraj, është shprehur se në Morg është ngritur e gjithë infrastruktura e duhur për t’i hetuar dhe identifikuar skeletet e dorëzuara. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndodhet e instaluar edhe aparatura për analizimin e ADN-ve, e cila pritet të jetë kyçi që do të zgjidhë enigmat e identiteteve të skeleteve të gjetura në malin e Dajtit. Veprimet e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore pritet të kryhen bashkë me ato të oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe do të saktësojnë nëse skeletet janë të personave të pushkatuar nga komunizmi prej vitit 1975, apo të personave të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990, kur qytetarë të shumtë synonin të hynin në ambasadat e huaja në Tiranë për të shpëtuar nga regjimi komunist. Pikërisht mungesa e prangave, zinxhirëve dhe mjeteve të tjera “lidhëse” në një pjesë të madhe të skeleteve të gjetura ka ngjallur dyshime që mes tyre të ketë edhe të ekzekutuar të viteve 1988-1989-1990.
Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë deklaroi dje se numri i personave që u pushkatuan pa gjyqe në kohën e komunizmit është rreth 4 mijë dhe eshtrat e tyre ende nuk dihen se ku janë.
Oficerët e Policisë vazhdojnë kërkimet në vendngjarja për të gjetur sende personale të viktimave, me anë të të cilave mund të bëhet identifikimi i tyre. Ndërkohë që një ekip tjetër oficerësh të Policisë së kryeqytetit kanë marrë në pyetje disa pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist që kishin bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar dhe që zbuluan këtë varrezë masive.

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›