Kaloi një familje në Greqi, pranga 38-vjeçarit
KORÇË - Forcat e Policisë së Devollit kanë arrestuar në flagrancë 38-vjeçarin Edmond Ago, lindur dhe banues në fshatin Bitinckë për veprën penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Kjo për arsye se ky person i ka dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit një familjeje nga fshati Bitinckë duke i nxjerre ata nga kufiri jeshil deri në tokën greke. Kjo familje është kthyer e deportuar nga Policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dhe për këtë ata kanë bërë menjëherë kallëzimin penal përkatës. Nga ana e policisë u kryen veprimet hetimore procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Pranga të riut, iu gjetën 2.8 gramë heroinë
TIRANË - Pranga 24-vjeçarit, iu gjetën 2.8 gramë heroinë. Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë Fatjon Qordjan, 24 vjeç. Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 19:00 të së hënës është kapur në flagrancë pranë rrugës “Myslym Keta” me 2.8 gramë pluhur të dyshuar si heroinë, e ndarë në 4 doza, dhe ishte gati për shitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. U kryen veprimet hetimore e procedurale dhe materialet në ngarkim të Qordjas do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “prodhim dhe shitje të narkotikeve”.
Arrestohet 60-vjeçari, kreu veprime të turpshme me një 5-vjeçar
Kryen veprime të turpshme me një 5-vjeçar, vihet në pranga Pjetër Ndrevata. Arrestimi i tij u krye mbi bazë të një kallëzimi të depozituar nga një 38-vjeçar, i cili ka deklaruar se Pjetër Vat Ndrevata, 60 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, ka kryer vepra të turpshme me fëmijën e tij 5-vjeçar në banesën e tij. Policia e Tiranës kreu të gjitha veprimet hetimore dhe vuri në pranga të moshuarin për veprën penale “vepra të turpshme”. Tashmë është duke u punuar për të zbardhur ngjarjen ku 60-vjeçari ka kryer veprime të turpshme me një 5-vjeçar.
Trafiku i drogës dhe prostitucioni, pranga tri bandave shqiptare
ITALI - Një bandë e trafikut të drogës dhe e shfrytëzimit të prostitucionit është arrestuar dje në një aksion që filloi në orët e mëngjesit nga Policia italiane në qytetet e Peruxhias Umbrias, Toskanës dhe Kampanias. Policia thotë se 85 persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe prostitucionit janë arrestuar. “Në qendër të hetimit, i cili është koordinuar nga prokurori i Antimafias në Peruxhia, kanë qenë klanet e tri bandave të rrezikshme të përbërë kryesisht nga shqiptarë”, shkruan media italiane. Sipas policisë, organizata kriminale e vendosur në pranga është përgjegjës për shkarkimin e sasive të mëdha të kokainës dhe të hashashit, nga Holanda dhe Ballkani, si dhe trafikimin dhe shfrytëzimit seksual të grave të reja nga Europa Lindore.
10 Shkurt 2010