Matura: Ja pyetjet që do të kenë 4 provimet
MASH publikon formën e 4 testeve. Kohëzgjatjen dhe maksimumin e pikëve që mund të marrin maturantët
Përgjigje të kombinuara, me zhvillim dhe me alternativë, do të jetë përmbajtja e testit të ri të provimeve të maturës. Maturantët duhet t'i kushtojnë rëndësi të madhe zhvillimit të përgjigjeve pasi ato do të përmbajnë peshën më të madhe të pikëve. Kështu, Ministria e Arsimit publikoi dje datat dhe formën e testeve për sesionin e parë. Sipas tyre, Matura Shtetërore 2008 përbëhet nga katër provime: 2 të detyruara dhe 2 me zgjedhje, dhe të gjitha provimet zhvillohen me shkrim dhe zhvillohen në ditë të ndryshme, ku dy provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë.
Pyetjet e testit
Testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2008, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim (37 pikë). Sipas specialistëve të arsimit, në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Ndërsa 2 provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe zhvillohen në një ditë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008 do të përmbajnë për secilën lëndë nga 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). "Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje", pohojnë specialistët. Sipas tyre, kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta, ndërsa kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë.
Rregullorja
Provimet e detyruara të maturës shtetërore i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme 4 dhe 5-vjeçare ndërsa nxënësi mbetës në provimet e detyruara, ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (vjeshta). "Për nxënësit kalues në provimet e detyruara dhe që dëshirojnë të vazhdojë shkollën e lartë publike, është e domosdoshme të japin edhe provimet me zgjedhje",- pohojnë specialistët duke shtuar se nxënësi që në vitet shkollorë 2005-2006 dhe 2006-2007 ka marrë notë kaluese vetëm në njërin nga provimet e detyruara, e ruan këtë notë edhe në vitin shkollor 2007-2008 dhe nuk e jep sërish këtë lëndë në provimet e detyruara të Maturës Shtetërore 2008. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të maturës shtetërore në sesionin e parë, sipas rregullores, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.
Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2008 për sesionin e parë:
Në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar:
a- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
b- Matematikë, 17 qershor 2008
c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike:
a- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
b- Matematikë, 17 qershor 2008
c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
a- Gjuha dhe Letërsia Greke, 02 qershor 2008
b- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
c- Matematikë, 17 qershor 2008
d- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:
a- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
b- Matematikë, 17 qershor 2008
c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në seksionet dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror) :
a- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
c- Matematikë, 17 qershor 2008
d- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme social-kulturore artistike dhe sportive:
a- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, 09 qershor 2008
b- Matematikë, 17 qershor 2008
c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike- profesionale 5- vjeçare dhe 3+2-vjeçare:
a- Letërsi, 09 qershor 2008
b- Matematikë, 17 qershor 2008
c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008