E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën për t'i shpëtuar korrupsionit, por korrupsioni u mori jetën

 

U bënë disa ditë që jemi përfshirë në dhimbjen e madhe që do të kujtohet shumë gjatë, tragjedia e ndodhur në Gërdec. Nga të pafajshmit e kësaj tragjedie, pothuajse gjysma e viktimave janë nga krahina e Martaneshit, si dhe mjaft të tjerë të aksidentuar rëndë që ndodhen në spitale brenda dhe jashtë vendit. Nga kjo krahinë, në këto vite të tranzicionit janë larguar pothuajse 90% e popullsisë, e vendosur kryesisht në zonën Tiranë-Durrës. Krasta, qendra e komunës Martanesh, që në hyrje të saj sytë të bien menjëherë tek pallatet e shkatërruara, çatitë e shembura, dritaret e shqyera e dhjetëra pallate të abandonuara. Ky qytet i dikurshëm, tani nuk ka më asnjë element të quhet i tillë, ai ka kohë që është transformuar në një Gërdec të vërtetë. Kjo krahinë, në vitet e para të tranzicionit ka pasur afërsisht 11-mijë banorë, ndërsa tani jetojnë jo më shumë se 1500 banorë. Edhe këta lëvizin çdo ditë lart e poshtë, në kërkim të një fati më të mirë.

***

Komuna është vend i pasur me ujë, por prej vitesh dhe aktualisht edhe për këtë popullsi të paktën është krejtësisht i pamjaftueshëm; vend i pasur me pyje, por që aktualisht nuk ka asnjë sipërfaqe të tillë; zonë e pasur me mineral kromi, tani me kapacitet të ulët prodhimi. Për këtë periudhë tranzicioni, në komunën e Martaneshit janë investuar nga buxheti i shtetit dhe donatorë të ndryshëm mbi 3.5 miliardë lekë të vjetra dhe gjendja prej vitesh e në vazhdim është me kushte të vështira social-ekonomike. Mund të themi se po të ishin realizuar me efektivitet vlera e investimeve të mësipërme, do të bënte që banorët të bënin një jetë shumë normale dhe nuk do të kishte kaq shumë emigracion. Komuniteti është në errësirë të plotë se nga kanë ardhur dhe ku kanë shkuar këto fonde kolosale? Është mëse e kuptueshme se me këto fonde publike është abuzuar shumë, ato kanë shkuar tek ato persona që aq shumë punonin për t'i nxjerrë këto fonde.

***

Është korrupsioni dhe vetëm korrupsioni, ai që ia ka dhënë pamjen Komunës së Martaneshit si ajo e Gërdecit. Korrupsionin e vlerësoj si një formë të terrorizmit që ia vështirëson jetën apo ia merr jetën individit dhe shoqërisë në mënyrë graduale, të përditshme, duke cenuar rëndë liritë dhe të drejtat e individit apo komunitetit, që cenon rëndë jetën sociale. Kështu ka ndodhur në Martanesh, si dhe në Gërdec, ku korrupsioni i shoqëroi këta bashkëqytetarë të mi derisa u mori dhe jetën, i plagosi, i traumatizoi apo u shkatërroi plotësisht ekonominë e ndërtuar me aq munde e djersë në këto vite tranzicioni.

Komuna e Martaneshit nuk është kontrolluar asnjëherë nga organizmat shtetërorë të kontrollit. Populli thotë: "Ku ka zë, nuk është pa gjë". Kam bindjen e plotë, ashtu si shumë e shumë bashkëqytetarë të tjerë të mi, se këtë bllokim të organizmave të kontrollit e kanë bërë njerëzit me pushtet si ish-deputetë, ish-kryetarë komune apo ndonjë firmë e lidhur ngushtë me ta. Sigurisht, bllokimin e bëjnë ata persona dhe të tjerë pas tyre, që kanë abuzuar me këto fonde, duke u treguar hileqarë dhe kameleonë. Duhej të ishin bariu, por zgjodhën të ishin ujku. Nuk presim që abuzuesit dhe shpërdoruesit të kërkojnë ndjesë, gjithashtu nuk presim që segmente të pushtetit të marrin guximin e të kontrollojnë se si janë zbatuar dhe po zbatohen ligjet në terren. Historia e Shqipërisë në këto vite ka vërtetuar se korrupsioni u është ngjitur disa politikanëve dhe pushtetarëve si ndryshku pas hekurit. Drejtësia dhe vetëm drejtësia e ka detyrë të shenjtë që ta pastrojë këtë ndryshk. Por kur do të bëhet nga ne i prekshëm shteti ligjor...?

Është mëse demokratike që si popull të shpëtojmë vetveten nga loja vrasëse e disa politikanëve dhe pushtetarëve, është demokratike që sa më shpejt t'i japim fund cinizmit të tyre. Mjaft mes indiferencës, frikës, paragjykimit dhe servilizmit.

*Autori është sipërmarrës në Minierën e Kromit Batër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›