Shteti që nuk është as në këtë kuti mashtruese çokollatash
Përshëndetje redaksia e "Shekullit"! Doja të denoncoja në rubrikën "Kontakt" një ngjarje që besoj se flet vetë nëpërmjet fotografive. Disa ditë më parë, bleva një kuti çokollatash. Në fletën që ishte ngjitur në pjesën e pasme të kutisë, shkruhej emri i produktorit si dhe data e skadencës. Data e skandencës thoshte 30.07 2009, pra gjithçka dukej në rregull. Por nuk është kështu. Nëse do të provonit ta kapnit me majën e thoit letrën e skandencës, do të zbuloni vetë që ajo në fakt shërben si "mbuluese" e datës së vërtetë të skadencës. Poshtë saj, data e skadencës e stampuar në trupin e kutisë është 14.09 2007, pra çokollatat kanë skaduar që në muajin shtator të vitit të kaluar.
Nuk po merrem me disa informacione që më thanë pasi e diskutova këtë rast me disa miq të mi, si p.sh., që importuesi i këtij malli është fëmija e një zyrtari shumë të lartë qeveritar, sepse e di që "mjeshtrat" dinë t'i fshehin mirë këmbët.
Por dua medoemos ta bëni publik këtë rast që është një shembull i ri, që shteti ynë merret me llafe jo me punë. Të bësh dër-vër në televizor nga mëngjesi deri në darkë, është e lehtë, sidomos për ata që e bëjnë zanat këtë punë. Por të ndërtosh shtet në shërbim të qytetarëve ashtu siç është premtuar, është krejt tjetër gjë. Sikur shteti të funksiononte, nuk do ndodhte as Farka e as Gërdeci. Sikur shteti të funksiononte, nuk do prisja vdekjen nga një kuti çokollatash.