E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, MASH nxjerr programet orientuese për Gjuhë-Letërsinë

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-01-2011 11:14

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht programet orientuese për një nga provimet me detyrim të Maturës, Letërsi dhe Gjuhë shqipe. Hartimi i çdo programi orientues për këtë lëndë është bërë sipas profileve të shkollave të mesme, që janë: drejtimi shoqëror, drejtimi natyror, profesionale (sistemi 5-vite dhe 3+2- vite), gjuhët e huaja 4-vjeçare, gjuhët e huaja 5-vjeçare, social kulturore (artistike dhe sportive), me kohë të shkurtuar dhe pedagogjike. Ministria e Arsimit sqaron se duhet pasur parasysh fakti që në programet orientuese janë vendosur 50% e lëndës mësimore, duke ruajtur raportet e Gjuhës dhe Letërsisë në kuadrin e programeve të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe të shkollave të mesme të përgjithshme, ku Letërsia zë 74%. Lënda e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe, në përmbyllje të arsimit parauniversitar është provim i detyruar për të gjithë nxënësit që përfundojnë shkollat e arsimit të mesëm. Provimi i Letërsisë dhe i Gjuhës shqipe, për vitin shkollor 2010-2011, do të zhvillohet mbi bazën e disa programeve orientues, që i ndihmojnë të gjithë nxënësit dhe mësuesit në fazën parapërgatitore. Programet orientuese janë hartuar duke u mbështetur në: programet e lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, klasa IX-XII; katalogun e teksteve të miratuara nga MASH-i. Ndërkaq, specialistët e hartimit të programeve orientuese shpjegojnë se disa nga kërkesat që duhen pasur parasysh për testin e provimit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe janë: lënda e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në programin mësimor është dhënë e integruar, kështu që edhe në testin lëndor konceptet nga fusha të ndryshme të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe do të jenë të ndërthurura organikisht; testi do të ndërtohet në mënyrë të tillë, ku të jenë të përfshira të tre nivelet e vështirësisë: niveli I, niveli II dhe niveli III, me peshat përkatëse; konceptet, njohuritë dhe shprehitë e fushave studimore; fragmenti ose fragmentet duhet të përzgjidhen nga veprat e plota, të përcaktuara në program. Në përgatitjen për provimin e lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, mësuesit dhe nxënësit nuk do të mbështeten vetëm në fragmentin e dhënë në tekstet mësimore që shkolla e tyre ka përzgjedhur. Në praktikën e përditshme mësimore duhet të merret parasysh: njohuritë në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe; aftësitë e të studiuarit të tekstit poetik, tregimtar, eseistik e dramatik; qëndrimet ndaj vlerave artistike, të cilat fitohen dhe zbatohen duke punuar në tekste/fragmente të shkëputura nga vepra letrare, do të aplikohen në tekste të tjera, pra në fragmente të përzgjedhura nga vepra e plotë. Kjo do të thotë që gjatë procesit mësimor do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste poetike, tregimtare, eseistike e dramatike, të punuara apo të papunuara më parë në klasë. Pra, nxënës/i,-ja duhet të punojë me veprën në tërësi dhe jo vetëm me fragmentin e librit mësimor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›