E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani i financave, ja taksat që ndryshojnë këtë vit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-01-2011 10:20

Sistemi fiskal dhe taksat kryesore që mbushin arkën e shtetit, edhe këtë vit do të jenë në proces reformimi. Ministria e Financave ka bërë planin ku spikasin 6 synimet kryesore në sistemin e taksave. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se këtë vit nisin procedurat për përafrimin e kuadrit ligjor për TVSH, akcizën dhe tatimit mbi të ardhurat me legjislacionin e Bashkimit Europian, në fushat e taksimit direkt dhe indirekt, çka nënkupton ndërhyrje cilësore dhe sasiorë në TVSH dhe akcizë, për të sjellë ato në nivelet europiane si një kusht që lind nga përmbushja e detyrimeve të anëtarësimit. Ministria e Financave në Programin Fiskal për dy vitet në vazhdim, do të hartojë një ligj të ri integral të TVSH, në përputhje të plotë me direktivën 6 të KE. Përgatitja e këtij ligji të ri do të bëhet me asistencën teknike të Komisionit Europian dhe do të nisë këtë vit, për të përfunduar në qershor 2012. Direktiva 6 e Komisionit Europian parashikon që TVSH për mallrat dhe shërbimet të jetë 12 për qind, ndërkohë që standardi i tatimit në fjalë, për mallrat e tjerë, do të jetë 15 për qind. Sjellja e TVSH në këto nivele përfshihet në objektivat afatmesëm të politikave fiskale të qeverisë dhe përbën hapin më të rëndësishëm për ndryshimin sasior të taksave. Ministria e Financave, gjatë publikimit të objektivave të punës për vitin 2011, ka njoftuar se ndërhyrja për përshtatjen e skemës së TVSH, me atë të BE, do të nisë këtë vit. Në fakt hapat janë ndërmarrë edhe në dy vitet e shkuara kur, arsimi dhe shëndetësia janë përjashtuar nga TVSH. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, ka pasur një mospëlqim të fortë nga Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë tatim, për shkak se siguron pjesën më të madhe të të ardhurave në buxhet, dhe ndërhyrjet për uljen e tij mund të sillnin një deficit të lartë në buxhetin e shtetit. Arsye e dytë ka qenë edhe kriza globale, e cila ka krijuar një ambient të pasigurt ekonomik në tërësi dhe ndryshimi i TVSH pritej të sillte më shumë probleme. Madje në këtë kohë krize, shumë vende në rajon, si Greqia, kanë rritur nivelin e TVSH për të rritur të ardhurat në buxhet. Gjithashtu këtë vit, qeveria ka aplikuar heqjen e kufirit të TVSH 2 milionë lekë për profesionet e lira dhe pritet që një masë të tillë ta aplikojë për hotelerinë. Si një objektiv tjetër këtë vit do të jetë edhe kompletimi i reformës së fiskalizmit në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. Shumë shpejt, drejtoria e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave do të bëjë rishikimin e ligjit të tatimit mbi të ardhurat, për sektorë specifikë, si në fushën e telekomunikacionit dhe të bankave. Ndërsa në sektorin e doganave, edhe këtë vit do të vijojë reduktimi i tarifave preferenciale, që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit (CEFTA), me Turqinë dhe me vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu këtë vit do të nisë edhe adaptimi në legjislacionin vendas i parimeve të Kodit të Taksimit të Biznesit. Nga ana tjetër, dikasteri i Bodes thekson në analizën e tij për politikën fiskale se, mosndryshimi i politikës së shpallur fiskale në periudhë afatmesme, do të jetë garanci për suksesin e financave publike. ”Ndjekja me rigorozitet e kursit të politikës fiskale, të shpallur prej qeverisë, do të bënte të mundur arritjen e plotë të objektivave për konsolidimin e financave publike”, thuhet në dokumentin e përgatitur nga ekspertët e Financave dhe që tashmë ka marrë edhe formën e ministrit Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›