E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesioni për 3 të vrarët, mijëra qytetarë marshojnë në bulevard

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 29-01-2011 09:46

Tiranë- Kërcitja e dyllit të qirinjve, përzierë me tingujt kumbues të “Requiem”-it të Moxartit, ishin të vetmet zhurma që thyenin heshtjen e një bulevardi të mbushur me mijëra qytetarë, mesditën e djeshme. Procesioni i zbritur pa fjalë në “Dëshmorët e Kombit”, pas një jave të ngërthyer prej tensionit të lindur po aty, mbartte dhimbje për tre burrat që mungonin së gjalli në bulevard. Fotografitë e Faik Myrtajt, Ziver Veizit e Hekuran Dedës, të vendosura bash në vendet ku u vranë, kufizonin zonën e lejuar të protestës-homazh. Zona e ndaluar, rreth e qark Kryeministrisë, ishte e blinduar si kurrë më parë. Dhjetëra persona me shirita të verdhë në krahë, që i identifikonin si organizatorë, ndanin kortezhin nga kordonët e shumëfishuar të policisë. Mijëra qytetarë, me lule e qirinj në duar marshonin drejt fotografive të viktimave, i preknin me duar, ndiznin qirinj në heshtje e ndiqnin pararendësit në një lëvizje harmonike, gati-gati në kufijtë e të pamundurës. Është sërish e premte dhe i njëjti bulevard, e megjithatë, fotografitë e vendosura në zonën “neutrale” të thonë se kjo hapësirë në zemër të Tiranës, nuk mund të jetë si më parë.

***

Përballë protestës-homazh ishin të rreshtuar policët. Kordonë të shumtë me punonjës të të gjitha reparteve ishin vendosur rreth godinës së Kryeministrisë dhe në të gjitha rrugicat që të çonin për aty. Skafandrat dhe mburojat e fshehura në rreshtat e fundit të policëve, të jepnin që në fillim përshtypjen e një situate të qetë. Me telefon në dorë dhe pa kurrfarë ankthi, drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, kërkonte gjithashtu ruajtjen e qetësisë nga vartësit e tij. Fjalët ishin të tepërta në atë lumë njerëzish që lëvizte pa bërë zë, nga njëri krah i bulevardit në tjetrin. Efektivat e policisë, FNSH-së, RENEA-s, por edhe Garda e Republikës, kishin zënë të gjitha pozicionet kyçe për të evituar të gjitha problemet që mund të shkaktoheshin. Duket se të dyja palët e dinin mirë se objektivët e mediave më të rëndësishme të botës i kishin vënë në fokus. Në hotelin “Rogner”, dhjetëra media ndërkombëtare raportonin nga dritaret, ndërsa tarraca, edhe këtë herë i përkiste efektivëve të Njësisë Speciale të Gardës. Njësia tjetër ishte vendosur në rrethimin e brendshëm të Kryeministrisë, përveç forcave të shumta të Gardës, u pa për një moment edhe komandanti Ndrea Prendi, i cili me një palë syze dielli të vëna për të mbuluar plagën në sy, jepte direktiva për gardistët. Ambientet e brendshme të Kryeministrisë, ndryshe nga një javë më parë, ishin të rrethuara prej gardhit me gjemba, që dje s’i hyri kurrkujt nën këmbë.

***

Ora 14:23. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjendet në krye të procesionit, i rrethuar nga një numër i shtuar truprojash dhe familjarët e tre të vrarëve në demonstratën e 21 janarit. Një numër i madh figurash të njohura të opozitës ishin në krah të Ramës, mes të cilëve edhe Ben Blushi, Servet Pëllumbi apo Preç Zogaj, kur turma e njerëzve nisi marshimin nga Ministria e Mbrojtjes drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Përkrah tyre gjendeshin dhe të afërmit e tre viktimave, të cilët me lot në sy mbanin në duar fotot e të afërmve. Kortezhi i njerëzve sa vinte e shtohej dhe me hapa të ngadaltë marshonin drejt godinës së Kryeministrisë. Trotuaret ishin po aq të mbushura me njerëz të veshur me të zeza, e me lule të kuqe në duar. Furgonët e shumtë të policisë, RENEA-s, FNSH-së, por dhe një numër i madh ambulancash ishin mbledhur në pjesën e pasme të Kryeministrisë. Brenda tyre dalloje qartë që kishte ende forca të cilat nuk kishin dalë në terren, por qëndronin aty në pritje të çdo situate. Pjesa e pasme e Kryeministrisë, ditën e djeshme ishte si të gjitha rrugët e tjera të Tiranës. Qetësinë e saj e prishnin vetëm automjetet e parkuara dhe efektivët e policisë, të cilët me veshët ngritur prisnin urdhrat që mund të vinin në radio. Një pengesë plastike dhe një person civil qëndronin përpara rrugicës që të çon për në banesën e Kryeministrit. Askush nuk lejohej që të kalonte në të, qofshin këta dhe banorë të zonës përreth.

***

Kortezhi kilometrik mbërrin në krah të Kryeministrisë. Vendi ku u vra Faik Myrtaj ishte ndalesa e parë e tyre. Të afërmit e tij ishin të parët që vendosën lule dhe ndezën qirinj. Pas tyre, kreu i PS-së i ndjekur nga grupi i njerëzve që vinin pas ndoqën të njëjtin ritual. Lule, qirinj, lot. Fotografia e të ndjerit Myrtaj tashmë ishte e mbuluar tërësisht nga buqetat e luleve dhe kurorat e ardhura nga qytete të ndryshme të vendit. Procesioni i kryesuar nga Edi Rama lëviz ngadalë, e ndalet po aq minuta në vendin ku humbi jetën Ziver Veizi. I përulur përpara fotografisë së tij, në krah të së cilës qëndronin të afërmit e Veizit, Rama vendos buqetën e luleve. Qindra lule të tjera ngrihen më pas mbi fotografinë e Veizit. Tingujt e muzikës funebre tashmë duket se ndiqen dhe nga hapat që hedhin personat e pranishëm në këtë tubim-homazh. Fotografia e Hekuran Dedës, i cili u vra me një plumb në kokë, shtrëngohet fort nga vëllai i tij. I mpirë nga dhimbja, ai u shtrëngon dorën të gjithë personave që afrohen pranë tij. Rituali i vendosjes së luleve dhe qirinjve, sa vjen e bëhet më i dhimbshëm. Pas përfundimit të homazheve, grupi i parë i drejtuesve të Partisë Socialiste marrin rrugën e kthimit, duke u lënë vendin qarqeve të tjera.

***

Protesta-homazh është e organizuar në kuadrate masive njerëzish. Në krye qëndrojnë deputetët e qarqeve, të cilët kanë nga pas qytetarët e ardhur nga Vlora, Korça, Elbasani, Shkodra, Kukësi apo Berati. Të gjithë kryejnë heshturazi të njëjtin ritual nderimi, duke u derdhur më pas në Unazë, për t’u shpërndarë pa kurrfarë rrëmuje në qytet. Përkundër apelit të ndërkombëtarëve, ankthit të qytetarëve dhe paralajmërimeve të policisë, që nuk mori përsipër garantimin e këtij tubimi, organizimi i opozitës funksionoi këtë herë tamam si një orë zvicerane, duke davaritur tensionin e një jave më parë, të paktën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›