E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha po mban Shqipërinë jashtë Europës për kutitë e mbyllura

Lideri i opozitës akuzon Kryeministrin: Po i kthen shpinën BE-së

Lideri i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar dje se penalizimi i mundshëm i Europës ndaj Shqipërisë është përgjegjësi e Kryeministrit Sali Berisha. Integrimi dhe liberalizimi i vizave sipas interpretimit opozitar janë vënë tanimë në diskutim serioz vetëm për shkak të faktit se Sali Berisha, Kryeministër i vendit refuzon të zbardhë mënyrën sesi arriti rezultatin elektoral të 28 qershorit 2009. Në kohën kur Berisha ka zgjedhur dje të flasë për raporte dhe progres ekonomik të Shqipërisë, kundërshtari i tij politik, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka marrë në konsideratë deklaratën e përbashkët të Parlamentit Europian për të prezantuar para opinionit pikën kritike ku ndodhet aktualisht vendi. “Për të mbajtur me çdo çmim të mbyllura kutitë ku fshihen gjurmët e krimit të 28 qershorit, Sali Berisha është gati ta mbesë përsëri Shqipërinë në klasë dhe madje të luajë deri në fund me fatin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Mes vizave e integrimit për të gjithë, Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vizës mbi Shqipërinë e shqiptarët, Sali Berisha preferon të dytën, vetëm e vetëm që të mos hapen kutitë e të mos dalë e vërteta”, është shprehur Rama. Ai ka ofruar kështu një lexim politik të përmbajtjes së dokumentit të bërë dje publik, i cili i paraprin 22 qershorit kur pritet të miratohet në PE një rezolutë e posaçme për Shqipërinë. është me interes të vihet në dukje, përfshirja e liberalizimit të vizave në penalitetet e mundshme për vendin tonë, pavarësisht se në përgjithësi është pranuar se ky proces mbetet vetëm në diskutimin teknik. Paralajmërimet e Ramës për vizat, krahas etapave të procesit të integrimit që mund të “ngrijnë” për shkak të krizës, aktualizohen si reale jo vetëm nga statusi i tij si kryetar i opozitës, por edhe pse së fundmi shqetësime konkrete për këtë proces kanë ngritur edhe përfaqësues të qeverisë. Kështu, një ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka akuzuar Edi Ramën dhe partinë që ai përfaqëson se është bërë pengesë për liberalizimin e vizave dhe nuk ka kontribuar për këtë çështje që prej një viti. Edhe pse në pikëvështrime të ndryshme, liberalizimi i vizave është vënë në axhendë diskutimi si instrument presioni për arritjen e kompromisit. Për sa i përket këtij të fundit, kreu i PS ka ritheksuar se ai është i mundshëm vetëm nëse Sali Berisha do ta pranojë atë çfarë ka refuzuar deri më tani. “Deklarata e përbashkët e dy kryetarëve të grupeve të PE është pasqyra më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. I vetmi njeri që sot i kthen shpinën kësaj pasqyre është Sali Berisha... zgjidhja përmes kompromisit ishte e mundshme, është e mundshme, mund dhe duhej të ishte pranuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke i hapur rrugë transparencës e integrimit. I vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme dhe transparencën e domosdoshme ishte Sali Berisha”, tha Rama në një konstatim politik që ka brenda edhe akuzën e fortë për kundërshtarin. Përkundrejt këtij fronti bllokues që po mbahet nga shumica, ai nuk ka munguar që të rikonfirmojë edhe njëherë opsionin e vetëm opozitar; reagim me të njëjtat terma. “Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, ne nuk lëkundemi në përpjekjen tonë për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës, ne nuk ndalemi në rrugën e betejës sonë...Do të vazhdojmë përpara me dinjitetin e një opozite që nuk e negocion lirinë e saj, nuk i fal e as i shet të drejtat e saj, nuk e braktis për asnjë arsye e çmim një kauzë për të cilën ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë shumëçka dhe të mos kursejë asgjë”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›