E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, AVA nis mbledhjen e të dhënave për nxënësit

Në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2009, Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), po punon aktualisht për mbledhjen e informacionit për të gjithë maturantët pjesëmarrës në këtë proces. Drejtori i AVA-s. Edmond Lulja, pohoi se tashmë i janë dërguar Komisioneve të Maturës Shtetërore (KMSH) e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore formularët  A1, A1z , që përmbajnë të dhënat e nxënësit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje, udhëzuesit për plotësimin e tyre dhe modelin për tabelën T për përmbledhjen e të dhënave që do të merren nga formularët. Këto të dhëna, vijoi Lulja, po i kalojnë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (përbërja e tij u miratua nga Komisioni i Maturës pranë DAR-it dhe ZA-së), i cili ka afishuar në mjediset e shkollës të gjitha dokumentet dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e provimeve të Maturës. Edhe Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) i ka pajisur nxënësit me formularë dhe po i sqaron maturantët për plotësimin e tyre, tha Lulja, duke shtuar se nga informacionet paraprake, mendohet se në Maturën Shtetërore 2009 do të marrin pjesë mbi 30 mijë maturantë në provimet e detyruara. Sipas rregullores së maturës, çdo maturant duhet të plotësojë dhe dorëzojë formularin A1 dhe A1z në KSHMSH në e shkollës ku ai mëson, brenda datës 10 Mars. Në periudhën 11-24 mars KSHMSH plotëson në bazë të formularëve A1,A1z, të dorëzuar nga nxënësit e kandidatët tabelën T, të cilat dorëzohen në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së brenda datës 25 Mars. Të dhënat e maturantëve pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore do të dorëzohen zyrtarisht në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Më pas, MASH do të miratojë më 1 Prill, formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë), plotësimi i të cilit duhet të bëhet nga maturantët deri më 30 Qershor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›