Berat, 2 zjarre brenda të njëjtës lagje shkrumbojnë orenditë në banesa
Dy zjarre të njëpasnjëshme kanë ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Beratit, në të njëjtën lagje. Burime zyrtare nga reparti i zjarrfikësve thanë se në orët e mesditës së djeshme në dy familje ka rënë zjarr, ku për pasojë janë djegur orenditë e shtëpive, ndërsa ekspertët e policisë që kanë shkuar në vendin e ngjarjes po punojnë për të zbardhur shkaqet kryesore të rënies së zjarrit si dhe vleftësimin e dëmeve materiale dhe përpilimin e dosjes hetimore që do ti kalojë organit të prokurorisë për hetime të mëtejshme për zbardhjen e komplet ngjarjes.
Po të njëjtat burime thanë për gazetën se ka qenë një telefonatë në numrin 128 të repartit të zjarrfikësve ajo që ka lajmëruar vendin se ku ka rënë zjarri dhe më pas menjëherë janë nisur mjetet zjarrfikëse si dhe forca të shumta të këtij reparti për t'u ardhur në ndihmë familjarëve të banesave, në shuarjen e zjarrit. Zjarri i parë ka rënë në lagjen Jani Vruo në pallatin 38, në katin e 5- të, banesë kjo në pronësi të shtetasit Miltjon Valle. Brenda banesës kanë qenë dhe dy fëmijë të mitur, që kanë mundur ti shpëtojnë fqinjët. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan për gazetën se në mesditë rreth orës 13:50 kanë parë të dalë tym nga dera dhe dritaret e banesës të katit të 5- të. Menjëherë fqinjët janë ngjitur në katin ku ka rënë zjarri dhe kanë mundur të nxjerrin dy fëmijët 3 dhe 8 vjeç si dhe nëpërmjet telefonit kanë kërkuar ndihmën e repartit të zjarrfikësve. këta të fundit kanë shkuar menjëherë në vendin ku kishte rënë zjarri. Kanë qenë forcat zjarrfikëse ato që kanë mundur që brenda 10 minutave të vënë nën kontroll zjarrin si dhe të arrijnë të shpëtojnë dy dhomat e tjera pa u djegur nga zjarri. Me pas forcat zjarrfikëse kanë marrë një tjetër telefonatë për një rënie zjarri në po të njëjtën lagje, disa pallate më tej. Sërish forcat e zjarrfikësve janë gjendur në vendin ku morën lajmin dhe kanë arritur të shuajnë flakët e zjarrit, të cilat kanë vënë përpara banesën. Pas një punë prej 15 minuta zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë zjarrin dhe të shpëtojnë njërën prej dhomave. Ekspertët e policisë zjarrfikëse që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë filluar procedurat ligjore për të hetuar rreth shkaqeve të rënies së zjarrit. Ndonëse janë në hetimet e para ekspertët e zjarrfikësve kanë arritur në konkluzionin se zjarri i parë ka rënë pas një qarku elektrik që ka krijuar shkëndi elektrike bashkimi i disa telave elektrikë tek prizat e televizorit. Ndërsa zjarri i dytë ka rënë pas një shpërthimi bombule gazi. Në të dy rastet ekspertët e policisë pohojnë se janë përpiluar dosjet përkatëse për të hetuar më pas nga organi i prokurorisë për të vazhduar hetimet për zbardhjen e komplet shkaqeve që shkrumbuan dy dhoma të dy banesave.