Milaim Nelaj sjell "Profile letrare", të 20 shkrimtarëve
Nga Odhise Grillo tek Gaqo Bushaka, Adelina Mamaqi e Skender Hasko vjen një vështrim kritik, që deri më sot i ka munguar bibliotekave tona. Autori Milaim Nelaj sjell në fushën e botimeve një libër të veçantë dhe të munguar. Profile Letrare është një botim me studime dhe kritikë letrare për disa nga figurat më të njohura dhe të spikatura të letërsisë për fëmijë. Në 158 faqet e këtij libri, të botuar nga OMSKA-1, shpalosen profilet letrare të 20 shkrimtarëve, të letërsisë për fëmijë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Nelaj analizon veprat më të mira të shkrimtarëve por nuk harron të japë edhe detaje jashtë letrare që i takojnë jetës së autorëve. Kjo për të ndërtuar një portret më të plotë të shkrimtarëve që zhvilluan dhe konsoliduan letërsinë për fëmijë. Kështu në libër trajtohet individualiteti i poezisë dhe prozës së Adelina Mamaqit, proza fantastike e Astrit Bishqemit, bota letrare dhe tregimet realiste të Isuf Nelajt, individualiteti krijues dhe i spikatur i Odhise Grillos, profili letrar dhe romani historik i Sazan Golikut, dashuria që u dhurua nëpërmjet librave nga shkrimtari Rifat Kukaj, temat bashkëkohore në prozën për fëmijë dhe të rinj të Viktor Canosinaj, humori dhe vlerat e Skënder Haskos, zëri i veçantë në krijimtarinë e Sokol Jakovës, metafora e Shkëlzen Zallit apo vlerat e Ymer Elshanit. Dhjetë faqe të librit të tij studimor, autori ia kushton krijimtarisë së gjerë të shkrimtarit Gaqo Bushaka, të njohur si babai i Çufos dhe Bubit Kaçurrel. Një studim të veçantë Milaim Nelaj kryen edhe për krijimtarinë e pasur letrare të Agim Devës, autorit të mirënjohur kosovar, i cili u nda nga jeta vetëm pak javë më parë. Profile letrare është një botim që i mungonte deri më sot bibliotekave. Ai plotëson vakumin e madh të kritikës mbi letërsinë për fëmijë duke u përpjekur të sjellë vlerat e disa prej shkrimtarëve më të njohur në këtë fushë. Takimi do të zhvillohet sot në Qendrën Kulturore të Fëmijëve (ish-Ministria e Kulturës). Në këtë promovim të organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë do të jenë të ftuar shkrimtarë dhe studiues, të cilët do të diskutojnë rreth këtij botimi.