Hekurudha Shqiptare, në pritje të katër koncesionarëve
“I vetmi shpëtim për sistemin e transportit hekurudhor në Shqipëri mbetet përfundimisht dhënia me koncesion ndonjë kompanie të huaj, e gjithsesi dinjitoze. E të tilla ka mjaft, që deri para një muaji i janë ofruar Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare”, - deklaroi drejtori i saj, Zamir Ramadani. Por duket se deri sot e ardhmja e hekurudhës ka mbetur në udhëkryq. Sipas tij, kompani të huaja, si ajo çeke, estoneze dhe italiane, si dhe një grup i madh kinez, shfaqën interesa për hekurudhën tonë, me synim marrjen e saj me koncesion. Asnjëra prej tyre palëve nuk ka kthyer përgjigje, edhe pse pala jonë iu dërgoi dosje të detajuara për gjendjen e udhëve të hekurta. Ndërkohë që në programin qeveritar është parashikuar dhënia e hekurudhës me koncesion, që shihet si shpëtimi i këtij sektori. Sot në hekurudhë punojnë mbi 2.000 punonjës, ndërsa arsenali i vagonëve dhe lokomotivave paraqitet tejet i varfër dhe për më tepër i amortizuar. E njëjta situatë paraqitet edhe në shina, në trase e në bazën mekanike.
Inventari i hekurudhave
Sot ai që quhet edhe “inventari i hekurudhës” është shumë i thjeshtë, rreth 30 vagonë pasagjerësh dhe 120 vagonë mallrash, të cilët lëvizin me shpejtësi 35 deri 40 km në orë, nga 2300 të tillë në fund të viteve ‘80-të. Ajo që ka mbetur e pandryshuar është fuqia punëtore. Në këtë sh.a. shtetërore janë të punësuar mbi 2100 punonjës, rroga mesatare e të cilëve arrin në 18 mijë lekë në muaj.
Duke qëndruar me shpresën e dhënies së saj me koncesion, gjatë gjithë këtyre viteve nuk është ndërmarrë asnjë reformë në këtë lloj transporti. Tashmë që ka nisur edhe viti elektoral, askush nuk ka ndërmend të merret me hekurudhën, e cila për më tepër ka mbingarkesë të fuqisë punëtore. Kompanitë e huaja të cilat kanë kryer studime për të ardhmen e hekurudhës kanë sugjeruar shkurtimin e 50 për qind të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë që më shumë se 1000 punëtorë duhet të lënë vendet e tyre të punës në mënyrë që hekurudha të nisë të marrë frymë. Por studimi i tyre është marrë përsipër që të zbatohet nga ana e drejtuesve të këtij sektori.
Sugjerimet e të huajve
Në muajin nëntor 2008, kompania çeke e përfaqësuar nga “Suola Praha”, kompania estoneze “Skinest Rail Blacom”, si dhe shumëkombëshja kineze “Kina”, paraqitën interes për hekurudhën shqiptare, me synim marrjen e saj me koncesion. Për këtë qëllim përfaqësuesit e tyre kërkuan dosje të hollësishme, të cilat përmbanin të dhënat teknike të hekurudhës, si dhe inventarin e saj. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave shprehen se “ne presim nga ana e të huajve përgjigjen zyrtare, e cila do të shpëtonte transportin me shina”. Ndërkohë që hekurudha lufton të mbijetojë, sektorët e transportit rrugor, atij ajror dhe detar vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të pandërprerë.