Bumçi: Opozita të kalojë reformën në drejtësi
Mazhoranca i bëri dje thirrje opozitës së majtë që të kalojë ligjin për administratën gjyqësore dhe t’i hapë rrugën reformës në drejtësi. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, kërkoi nga socialistët që të mos bëhen pengesë për reformën në drejtësi në mënyrë të veçantë për ligjin për administratën gjyqësore. Bumçi e konsideroi këtë ligj si "një nga reformat më të rëndësishme të kësaj qeverisjeje, jo vetëm në fushën e drejtësisë, por edhe në marrëdhëniet me gjyqësorin dhe shoqërinë. Sipas tij, ngritja e Gjykatës Administrative do të thotë një shkallë më e ulët e abuzimit me pushtetin nga ana e administratës, ndërkohë që ky ligj ul hapësirat për korrupsion dhe rrit nivelin e demokracisë dhe të drejtat e qytetarëve. Mungesa e vullnetit të PS-së për miratimin e këtij ligji, sipas Bumçit, "do të thotë se socialistët nuk janë pro reformës në drejtësi, por janë kundër zhvillimit të vendit".
Shtëpitë e ish-pronarëve, qeveria, kredi për 3 mijë familje
Qeveria po përgatitet të zbatojë një nga zotimet e saj elektorale për dhënie kredie 3 mijë familjeve që ndodhen në shtëpitë e ish-pronarëve. Në këtë mënyrë do të zbatohet ligji dhe këto familje do të marrin shtëpitë me kredi, ndërkohë që do të lirohen shtëpitë e ish-pronarëve. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha theksoi se ky është një zotim elektoral tashmë i realizuar, për të cilin janë marrë të gjitha masat dhe zbatimi i tij do të fillojë sa më shpejt, pasi gjithë dokumentacioni përkatës tashmë është gati. Gjithashtu, Kryeministri informoi se në ditët e ardhshme do të kalojë në Parlament ligji për trojet në përdorim. “Janë me mijëra e mijëra familje autoktone të qyteteve, të cilat për babëzinë e diktaturës dhe për paranojën e saj që çdo gjë të ishte shtetërore, trojet dhe oborret e shtëpisë ua kishte përcaktuar në përdorim. Tani ato do të kalojnë të gjitha në pronësi, ashtu siç atyre u takon”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ai vuri në dukje se përmes këtyre vendimeve, qeveria po përpiqet që t’u japë një shtytje para problemeve të pronësisë, ndonëse janë probleme të ndërlikuara.