Matura Shtetërore, publikohet formulari A2
TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar formularin A2, nëpërmjet të cilit, maturantët e të gjithë vendit kanë mundësi të aplikojnë për studimet universitare. Të gjithë ata nxënës që kanë vendosur të vazhdojnë universitetin, duke filluar që nga data 23 korrik do të kenë në dorë këtë formular, për të përzgjedhur degët ku kanë dëshirë të vazhdojnë studimet. Gjithashtu, MASH bën me dije se afati i fundit i plotësimit të tij do të jetë data 5 gusht. Pas kësaj date, asnjë maturant nuk do të ketë të drejtën të plotësojë formularin, duke humbur në këtë mënyrë edhe mundësinë për të kandiduar në universitet. Edhe këtë vit, të interesuarit do të kenë mundësi të zgjedhin deri në dhjetë degë, ndërkohë që përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas sistemit meritë-preferencë. Megjithatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka sqaruar se ende nuk është gati udhëzuesi, i cili do të orientojë maturantët për mënyrën e plotësimit korrekt të tij. Kjo, pasi mësohet se plotësimi i sivjetshëm do të ketë ndryshime nga ai i vitit të kaluar. Risia e këtij viti, në lidhje me plotësimin e formularit A2, është fakti se nxënësit do të kenë mundësi që ta plotësojnë edhe online. Ai përbëhet nga dy pjesë: Pjesa përpara ka të renditura të gjitha degët, të shpërndara sipas universiteteve në gjithë vendin, ndërkohë që pjesa mbrapa formularit përmban mundësinë e korrigjimit të pasaktësive apo gabimeve që mund të ketë bërë maturanti gjatë plotësimit të tij. Në total janë 303 degë, të ndara sipas universiteteve, mes të cilave nxënësit do të zgjedhin degët e tyre të preferuara për të vazhduar studimet.
(e.m/GSH/BalkanWeb)
(e.m/GSH/BalkanWeb)