E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, sot testi i lëndëve me zgjedhje

TIRANE-Provimet e Maturës Shtetërore 2012 do të mbyllen sot me testimet në lëndët me zgjedhje.

Nga të dhënat e ministrisë së Arsimit rezulton se një pjesë e konsiderueshme e maturantëve kanë kërkuar të testohen në më shumë se dy lëndë.

Rreth 18 për qind e maturantëve, që do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje, kanë vendosur që të japin tri lëndë, duke përfshirë në përzgjedhjet e tyre njëherësh lëndë të profilit shoqëror e natyror.

Maturantët që do të japin provim vetëm një lëndë, do ta fillojnë provimin në orën 11.00 për ta përfunduar në orën 13.00. Provimi për këta maturantë do të zhvillohet në mjedise të veçanta.

Për zhvillimin e këtyre provimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve 20 arsimtarët më të mirë në të gjithë vendin kanë nisur punën për përgatitjen e testeve për provimet me zgjedhje, të cilat gjatë këtij viti do të jenë më të shumta në numër.

Lëndët shoqërore rezultojnë të kenë fluksin më madh të kërkesave për t’u dhënë si provime me zgjedhje, ndërkohë që janë rreth 1000 maturantë që kanë kërkuar matematikën, 500 fizikën apo biologjinë dhe rreth 12 mijë maturantë kanë zgjedhur gjuhën angleze.
Provimet me zgjedhje përcaktojnë orientimet se ku maturantët duan të vijojnë studimet e larta në universitetet publike të vendit. Ky provim do të ketë një kohëzgjatje prej tre orësh, ku maturantët do të plotësojnë rreth 20 pyetje, të kombinuara në mënyrë të barabartë ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim, të cilat vlerësohen në total me 30 pikë.

Aktualisht, maturantët janë njohur me notat e Letërsisë, ndërkohë që 35 prej tyre nuk e kanë marrë ende rezultatin, pasi testet e tyre po rishihen si të dyshuara për kopjim.

Sipas burimeve nga MASH, rezultatet për Matematikën do të publikohen pasi maturantët t’i jenë nënshtruar edhe provimeve me zgjedhje, në mënyrë që notat të mos ndikojnë negativisht tek ata që nuk kanë marrë aq sa pretendonin. Edhe këtë vit, maturantët do ta plotësojnë Formularin A2, pasi të jenë njohur me të gjitha notat e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›