E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, Vlerësohet me çmime në provimin e letërsisë mori 7

Luçiano Golemi, është njëri nga maturantët, i cili pretendon se testi i tij i Letërsisë nuk është vlerësuar si duhet ndaj kërkon rikorigjim. Maturant në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në Berat, ai shprehet se ka qenë gjatë gjithë shkollës nxënës i përkushtuar dhe sistematik, me prirje në shkencat shoqërore.

“Arrija nivelin e ekselencës në këto lëndë, për dy vitet e para e kam nxjerrë letërsinë 9, në vitin e tretë mes përpjekjeve sistematike arrita 10. I prirur për aftësitë kreative të të shkruarit në vitin 2009 vlerësohem me vendin e dytë në konkursin e krijimeve të reja me çmim të dytë me temë “të drejtat e mia”. Në provimin e parë të letërsisë marr notën e shkallëzuar 7.12, por edhe shumë nxënës të mirë nuk kanë arritur të marrin as notën 7. Si shpjegohet???

Kërkoj minimalisht të rishikohet teza”, - na shkruan Luçiano në e-mailin që na ka dërguar, pasi kontaktuam me të. Më tej ai na shpjegon se shumë nxënës “ngelës” kanë marrë nota kaluese 5.6, por ky fakt nuk e shqetëson aspak, por ai kërkon shpjegime se si ka mundësi që nxënës ngelës kanë marrë vlerësime ekselence. “Por nxënës ngelës që arrijnë të marin notën 9-të...ky po që është rekord!. Kërkoj me mirësjellje dhe “pa zhurmë” një rishikim të testit e nëse meritoj këtë notë që kam marrë le të vulosi ajo këtë provim dhe njohuritë e mia për letërsinë,por jam skeptik të besoj te ajo. Nuk dua bëj me faj askënd, por nuk mund të mos përjashtoj as edhe ndonjë gabim njerëzor. Me përgjigjet e publikuara nga Ministria e Arsimit kisha bërë vetëm 2 gabime në alternativa. Te “Albatrosi”, e kisha kapur thelbin dhe logjikën, pavarësisht formulimit dhe modelit të përgjigjes që mund të kem dhënë. Sa i përket “Kështjellës” dhe esesë jam plotësisht i bindur që kam kapur maksimumin”, - na thotë ai duke dyshuar se mos publikimi i këtij pretendimi mund ta dëmtojë në dy provimet me zgjedhje që ka përpara. Por Luçiano duket se nuk është i vetmi që ka mbetur i pakënaqur. Gjimnazistë të “Sami Frashërit” në Tiranë, na thonë se megjithëse ende nuk është bërë zbardhja e notave nga kodet në emra konkretë, kanë parë që shokë të tyre të klasës, megjithëse i kanë rreshtuar mungesat varg gjatë vitit shkollor, kanë marrë 7 ose 8. “Unë kam marrë të njëjtën notë që kam marrë gjatë shkollës, por nuk mund të mos kem pretendime kur shokë të mi të klasës, që nuk vinin asnjëherë, kanë marrë të njëjtën notë si unë”, - na thotë një gjimnazist i “Samiut” që është vlerësuar me 8-të. Ndërkohë, Alfons Harizaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Provimeve na thotë se personi në fjalë mund të bëjë ankimim dhe të shikojë një kopje të testit të vlerësuar së bashku me pikët që ka marrë për çdo përgjigje. “Pas publikimit të notave, maturantët kanë 4 ditë kohë për t’u ankuar dhe marrë kështu një kopje të testit së bashku me vlerësimin për çdo përgjigje”, - na thotë Harizaj. Ndërsa një mësuese që ka marrë pjesë në korrigjimin e provimit të letërsisë, na shpjegon se për të gjithë ata maturantë që kanë marrë mbi 38 pikë, pra 8 e lart është treguar një kujdes maksimal për të mos lënë vend për asnjë lloj konfuzioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›